KRYEFAQJA » LAJME » Zjarri në Dajt rrezikon teleferikun

Zjarri në Dajt rrezikon teleferikun

Shqipëria do të jetë në alarm deri në mesin e muajit shtator përsa i përket rrezikut nga zjarret. Emergjencat Civile thonë se kanosja është permanente që nga 10 korriku. Drejtori i Përgjithshëm Shemsi Prençi tregoi për Televizionin shqiptar cilat janë zonat më të ekspozuara nga zjarret.
Në të gjithë vendin janë aktive 25 vatra zjarri dhe më problematike situata paraqitet në Qarkun e Vlorës, Tiranës dhe Dibrës. Emergjencat civile japin alarmin se zjarri aktiv prej pak ditësh në zonën e Dajtit rrezikon Parkun Kombëtar , zonën e antenave dhe teleferikun “Dajti Ekspres”.
Emergjencat Civile po hasin problem në ndërhyrjet nga ajri pasi nuk disponohen helikopterë për shuarrjen e zjarreve, ndërsa dy aeroplanë zjarrfikës nga Greqia dhe Italia zhvilluar operacione ditën e premten operacione.
Situata bëhet edhe më e vështirë edhe për shkak të një shërbimi të degraduar zjarrfiksish. Nga 61 bashki në vend që ofrojnë shërbim zjarrfikës, vetëm 38 prej tyre e kanë funksional, ndërsa në 23 bashki shërbimi zjarrfikës nuk ekziston. Sipas zotit Prençi në këtë situatë alarmante njësitë administrative duhet të mbështesin njëra tjetrën.
Ndërkaq shefi i Emergjencave Civile kërkon hetime më të thelluara për zjarret pasi konstatimet në terren tregojnë se ato janë të qëllimshme nga dora e njeriut.
Përkundër zërave për shpalljen e situatës së jashtëzakonshme në vend, Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi nuk e sheh si opsion të mundshëm.