KRYEFAQJA » LAJME » Zjarret vazhdojnë edhe pas shirave

Zjarret vazhdojnë edhe pas shirave

Shirat e shumtë gjatë natës të së shtunës duke u gdhirë e diel në territorin e Shqipërisë, sollën një ulje të ndjeshme të temperaturave, por nuk kanë shuajtur vatrat e zjarrit. Nga raportimi më i fundit prej drejtorisë së Emergjencave Civile u njoftua se në të gjithë vendin janë shënuar 11 vatra zjarri në disa qarqe.
Në Dibër ka vazhduar puna e zjarrfikësve së bashku me forca ushtarake, forca të pyjores dhe forca të FNSH, në vatrën e fuqishme të zjarrit të rënë në fshatin Bllacë, Bashkia Bulqizë.
Ndërkaq vazhdojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Finiq. Situata ka qenë më e rënduar në fshatin Dhrovjan dhe Leshnicë. Në operacion është përfshirë edhe një helikopter i cili ka realizuar disa fluturime.
Në fshatin Çetë, Bashkia Ura Vajgurore ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj, ku 50 rrënjë ulinj janë shkrumbuar. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë shuar flakët.
Edhe në Bashkinë e Skraparit dhe në disa fshatra të bashkisë së Poliçanit vatrat e zjarrit janë aktive edhe ditën e sotme.
Gjatë dy muajëve të fundit Shqipëria është përfshirë nga zjarre të mëdhenj të cilët kanë bërë një dëm të pallogaritshëm në mjedis, por edhe në kultura bujqësore dhe pemtari. Shumica e zjarreve mendohet të jenë të qëllimshëm, por shumë pak autorë janë vënë në pranga. Autoritetet paralajmërojnë dënime të ashpra. Sipas ligjit dënimet për zjarrënie variojnë nga 5 deri 10 vjet.

Sicred