KRYEFAQJA » LAJME » Zjarr në fshatin Corrush të Mallakastrës. Ja pasojat.

Zjarr në fshatin Corrush të Mallakastrës. Ja pasojat.

Zjarri i fuqishëm që përfshiu pasditen e së premtes fshatin Corrush të Mallakastrës la pasoja të rënda pas. Si pasojë e flakëve janë djegur tre banesa, por fatmirësisht nuk ka patur njerëz të lënduar. Zjarri ka përfshirë kodrat e këtij fshati dhe për pasojë janë djegur mbi 4200 rrënjë ullinj, si dhe sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Pas qetësimit të situatës, nga hetimet paraprake policore, dyshohet se zjarrin e ka vënë shtetasi me iniciale L.L, 36 vjeç, banues në lagjen “Bajraktari”, Mallakastër, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.  Personi në fjalë i ka vënë zjarrin një sipërfaqe të tokës së tij për të djegur disa barishte dhe për pasojë zjarri është përhapur. Në zonën e Dropullit zjarri vazhdon vetëm në pjesën e malit dhe po djeg shkurre e ferra shumë larg zonave të banuara. Tetë vatra të reja zjarri janë shënuar në 24 orët e fundit, sipas Emergjencave Civile, në Tiranë,Dibër, Durrës, Fier, Vlorë. Në fshatin Cudhi të bashkisë Krujë ka rënë zjarr i cili rrezikon Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës. Zjarrfikësit, bashkë me forca të pyjores, banorë të zonës dhe forca të bashkisë janë në vendngjarje për të mbajtur zjarrin nën kontroll. Vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive. Në përballjen me vatrat e zjarrit përveç specialistëve të emergjencave civile dhe efektivëve të Forcave të Armatosura janë angazhuar edhe dhjetëra banorë të zonave respektive. Ndërhyrja nuk ka munguar as nga ajri në ndihmë të të cilës mëngjesin e së premtes me vendim te Athinës zyrtare janë nisur nga Selaniku dy avionë zjarrfikës Canadair.

Sicred