KRYEFAQJA » LAJME » Zguri: Nuk ka asnjë ankimim deri tani në Kolegjin Zgjedhor kundrejt meje

Zguri: Nuk ka asnjë ankimim deri tani në Kolegjin Zgjedhor kundrejt meje

Pas kërkesës së Partisë Socialiste për shkarkimin nga detyra e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke cilesuar se ka shkelur ligjin, ka ardhur dhe reagimi i Klement Zgurit. Jashtë sallës ku u zhvillua mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku po shqyrtohet projekt buxheti i vitit 2018 për KQZ, ai theksoi se nuk merret me deklarata politike. Zguri tha se për të nuk ka asnjë ankimim deri tani në Kolegjin Zgjedhor. “Në një deklaratë dje kam kërkuar që të ruaj statusin tim të funksionarit dhe do ti qëndroj deri në fund. Kush është institucioni që vlerëson një vendim, të KQZ nëse është apo jo i ligjshëm.Asnjë subjekt zgjedhor nuk e ka ankimuar vendimin e KQZ. Vendimet e KQZ ankimohen në Kolegj dhe Gjykatë Administrative. Fakti që nuk ankimohet do të thotë se vendimi pranohet. Me deklaratat politike nuk merrem”, tha Zguri. Dy ditë më parë partia socialiste nis proçedurat parlamentare për shkarkimin e Klement Zgurit nga detyra e Kryetarit të KQZ-së, për shkelje të ligjit për “garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksionet publike”. Iniciativa është bërë e ditur nga Kryetari i Grupit Parlamentare Socialist Taulant Balla. Sipas tij, edhe pse mbarë opinioni publik është njohur me faktin se Prokuroria dhe Gjykata Italiane i kanë konfirmuar Prokurorisë Shqiptare dhe KQZ-së, dënimin me dy vite burg për veprën penale të vjedhjes të Kryetarit të Bashkisë Mallakastër, Zguri me paramendim dhe vendim të njëanshëm jo kolegjial, vendosi të arkivojë pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë.