KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Zgjedhjet në Britani, Korbin i kërkon dorëheqje Meit
Zgjedhjet në Britani, Korbin i kërkon dorëheqje Meit

Zgjedhjet në Britani, Korbin i kërkon dorëheqje Meit

Partia Konservatore e drejtuar nga kryeministrja Tereza Mei doli e para në zgjedhjet e përgjithshme të parakoshme në Britaninë e Madhe duke siguruar 42,5 përqind të votave, por nuk iu afrua objektivit për të siguruar shumicën absolute. Konservatorët morën 318 deputetë nga 650 vende sa ka parlamenti britanik. Laburistët në vendin e dytë siguruan 40 përqind të votave të përkthyera në 261 mandate, 30 më shumë se në parlamentin e kaluar. Mes partive të tjera, rezultat të mirë kapi Partia Nacionaliste Skoceze me 34 vende, liberaldemokratët me 12 dhe Partia Demokrate Unioniste me 10 vende. Pikërisht këto dy partive mund tu kërkohet mbështetja nga kryeministrja Mei për të krijuar shumicën e re parlamentare.
Zonja Mei mbajti një fjalim të vakët të fitores gjatë të cilit tha se vendit, më shumë se kurrë i duhet një periudhë stabiliteti. “Dhe pikërisht këtë do të bëjmë. Do të mbajmë premtimin për ti siguruar popullit britanik një marrëdhënie të drejtë për dalje nga BE-ja dhe tu përgjigjemi sfidave më të mëdha me të cilat përballet vendi”, tha ajo.
Udhëheqësi i laburistëve Xheremi Korbin i bëri thirrje kryeministres Mei të dorëhiqet. “Politika ka ndryshuar. Fushata jonë dhe rezultati i votës, u jep të gjithëve shpresë për të ardhmen. Rezultati i kryeministres tregon se ajo humbi vende, vota dhe besim. Kaq mjafton që të largohet”, vleresoi ai. Zonja Mei ka tani afat deri me 13 qershor, kur mblidhet parlamenti i ri, për të negociuar me partitë e tjera për krijimin e shumicës. Kjo shumicë, duhet ti paraqitet mbretëreshës në 18 qershor që ajo të japë mandatin për krijimin e qeverisë së re.

Sicred