KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhjet e 2017, opozita e dajthtë paraqet kushte
Zgjedhjet e 2017, opozita e dajthtë paraqet kushte

Zgjedhjet e 2017, opozita e dajthtë paraqet kushte

Në Shqipëri 23 parti të rreshtuara në opozitë, kanë nënshkruar një memorandum me 5 kushte, realizimi i të cilave synon të garantojë një proces sipas standardeve ndërkombëtare në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Kreu i PD Lulzim Basha duke folur të hënën në një konferencë shtypi tha se kushti i parë për opozitën e bashkuar është “realizimi i identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimi elektronik dhe numërimi elektronik i votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shkallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm”.
Opozita kërkon gjithshtu edhe “zbatimin me intensitet dhe shpejtësi të procesit të dekriminalizimit lidhur me kandidaturat” që do paraqiten në zgjedhjet e ardhshme”. Por ajo këmbëngul edhe “dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve”.
Opozita e djathtë kërkon të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë. Sipas saj duhet të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë.
23 partitë në opozitë kërkojnë të ndalohet përdorimi i burimeve njerëzore të administratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike.
Partitë opozitare kërkojnë edhe garantimin e aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë”.
Për PD dhe 22 partitë nënshkruese të memorandumit “përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërcyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Ato paralajmërojnë se “Mospërmbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian”.

Sicred