KRYEFAQJA » LAJME » Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm mbetet pezull
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i thotë jo kërkesës së Llallës për heqjen e sekuestros së pronave

Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm mbetet pezull

Zgjedhja e Prokurorit të ri të Përgjithshëm do të kishte qënë një çështje aspak politike, sikur klasa politike të kishte respektuar afatet për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutes së ndryshuar dhe paketës së ligjeve të reja të Reformes në Drejtësi, pasuesi i Adriatik Llallës do të vërë përballë partitë politike me argumentime të ndryshme për proçedurën. Opozita ka bërë të qartë se nuk do të lejoje që Prokurori i ri i Përgjithshëm të zgjidhet nga kryeministri Rama, ndërsa shumica qeverisëse është treguar e kursyer për të mos dhënë detaje sesi do të kryhet proçedura e zëvëndësimit të drejtuesit të akuzes. Kushtetuta përcakton zgjedhjen e një prokurori nga Parlamenti me 85 vota, por pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ketë përcaktuar kandidatët. Këshilli i prokurorëve nuk është ngritur dhe për këtë arsye një nga zgjidhjet mund të jetë ndjekja e proçedurave që përcaktojnë dispozitat kalimtare në ligjin për organizimin e Prokurorisë në Shqipëri. Sipas këtyre dispozita Prokurori i Përgjithshëm në detyrë qëndron në detyrë deri në fund të mandatit. Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, siç është rasti aktual, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji. Kjo do të thotë se në lojë do të hyje sërish politika me mekanizmat e saj parlamentare. Vetë Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të zëvëndësuar Adriatik Llallën, por në kalendarin e punimeve të parlamentit deri në datën 22 dhjetor është përfshirë një pikë ku përcaktohet se dekrete, propozime për zgjedhje apo shkarkime hyjnë automatikisht në rendin e punimeve të seancave plenare sapo komisioni i përgjegjës, në rastin konkret ai i ligjeve të paraqesë ndonjë raport.