KRYEFAQJA » LAJME » Zëvendësimi i anëtarëve të bordit të Universitetit të Tiranës, polemika mes dekanëve dhe ministres Karabina
Rama zbulon konfliktin në Universitetin e Tiranës

Zëvendësimi i anëtarëve të bordit të Universitetit të Tiranës, polemika mes dekanëve dhe ministres Karabina

Ministrja teknike e Arsimit dhe Sporteve Mirela Karabina ka urdhëruar së fundi zëvendësimin e anëtarëve të bordit të Universitetit të Tiranës.
Por ky urdhër nuk është mirëpritur nga dekanët e 6 fakulteteve të këtij universiteti të cilët kanë reaguar në mënyra të ndryshme.
I kontaktuar në telefon dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Artur Sula e ka cilësur urdhërin jotrasparent dhe të pambështetur në ligj. Ai është shprehur se drejtuesve të këtyre institucioneve nuk u është dhënë asnjë shpjegim për arsyjet e këtyre ndryshimeve të bëra nga ministrja Karabina.
Nga ana e tij nëpërmjet një letre drejtuar drejtuesit të bordit të UT Dekani i Fakultetit Juridik Artan Hoxha shkruan se “Është e patolerueshme dhe e palejueshme që me autonominë e institucionit më të madh të arsimit të lartë, të luhet nga kushdo qofte, brenda apo jashtë institucionit. Urdhëri i Ministres është jo transparent dhe godet rëndë autonominë e administrimit të Universitetit. Po aq i rëndë është edhe qëndrimi i Rektorit të UT, i cili veprimin e pare që duhej të kryente, ishte ti kërkonte shpjegime zonjës Ministre për arsyet e këtij urdhëri” shkruan zoti Hoxha.
Ndërsa Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale Edmond Rapti ka vlerësuar se zëvëndësimi i anëtarëve të një organi kolegjial nuk mund të bëhet nëse nuk është vlerësuar efektiviteti i punës së tij. “Autoritarizmi i treguar në këtë rast ndaj funksionimit të një organi kolegjial përbën përsëri cënim te funksionimit të autonomisë së Bordit të Anëtarve të Universitetit të Tiranës. Realizimi i këtij akti në këtë kohë pushimesh në UT më lind të drejtën të kem rezervat e mia mbi arsyen pse nuk u krye në një moment tjetër përgjatë vitit akademik dhe jo gjatë periudhës së pushimeve” vlerëson zoti Rapti.
Dekani i Fakultetit Ekonomik Dhori Kule, nga na e tij ka kërkuar ti kthehet mbrapsht urdhëri i ministres, duke u shprehur se ajo “…të mos guxojë të tallet me autonominë dhe reputacionin e UT pasi nuk do të lejojmë askënd nga jashtë apo brenda këtij universiteti të cënojë legjitimitetin kushtetues të funksionimit të Institucionit Simbol të Dijes për shqipëtarët”.
Nga ana e saj Ministrja Arsimit dhe Sporteve nëpërmjet një njoftimi ka sqaruar se këto ndryshime janë bërë në përgjigje të shqetësimeve të autoriteteve drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë publik për të siguruar mbarëvajtjen e institucioneve në përgatitjet e tyre për vitin akademik 2017-2018.

Sicred