KRYEFAQJA » LAJME » Zemërimi i studentëve, sot në “Përballë” me Lutfi Dervishin
Studentët bojkotojnë mësimin dhe protestojnë

Zemërimi i studentëve, sot në “Përballë” me Lutfi Dervishin

Protesta e studentëve ndaj tarifave të arsimit dhe kushteve të jetesës shënoi sot kulmin në ditën e 7 dhe deri më tani studentët këmbëngulin që nuk duan dialog me qeverinë.
Studentët protestues nuk kanë veshur uniforma, jelek të verdhë apo portokalli, nuk kanë udhëheqje, dhe nuk kanë ushtruar dhunë. Studentët kanë dëshmuar shkallë të lartë qytetarie, duke u kujdesur të pastrojnë ambjentin ku protestojnë. Protesta e tyre pa uniformë është masive, e qetë dhe deri më tani e parashikueshme.
Studentët kanë fituar simpatinë, mbështetjen dhe mirëkuptimin e banorëve në kryeqytet.
Parrulla “jo politikë’- e përkthyer si thirrje ndaj partive politike që t’i mbajnë duart larg nga protesta duket se është magneti që ka tërhequr mbështetjen e mijëra qytetarëve.
8 pikat e kërkesës së studentëve janë thelbësisht ekonomike. Ndërkohë pritshmëritë e njerëzve tejkalojnë gjendjen alarmante në universitete.
Javët e fundit jemi dëshmitarë të skandaleve të njëpasnjëshme me titujt akademikë. Më shumë kanë qenë të pranishme plagjiaturat e doktoraturave se rastet e gripit në QSUT. Asnjë reagim. Asnjë dorëheqje. Asnjë përgjegjësi.
Ligji i ri për Arsimin e Lartë parashikon autonomi financiare, por universitetet kanë mbajtur gojën hapur vetëm nga buxheti shtetit dhe tarifat e studentëve. Paratë e mbledhura nga tarifat e studentëve shpesh janë shpenzuar në mënyrë kriminale!
Disa prej kërkesave të studentëve mund t’i adresojë vetë Universiteti, por jo me këtë “elitë universitare” që ka çimentuar status-quo-në.
Klientelizmi, tarafet, masivizimi dhe korrupsioni – nuk japin shpresë për të ardhmen universitare dhe pas universitare.
Të diplomuar si juristë, inxhinjerë e ekonomistë që punojnë kamarierë, në call center apo recepsionistë janë dëshmi se Arsimi i Lartë ka mbetur në shekullin e kaluar.
A është zemërimi i studentëve shkundje vetëm për universitetin apo vetëm maja e ajsbergut e një shkundje më të madhe që kanë nevojë institucionet dhe sistemi politik në vend?
Për prostestën, sfidat në arsimin e lartë dhe pritshmëritë nga lëvizja e studentëve.. do të flasim sonte në Përballë, me protestues, pedagagë dhe vëzhgues të autonomisë financiare. Ora 21.00, në RTSH 1!

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com