KRYEFAQJA » LAJME » Zemërim dhe polemika për vdekjen në autostradë
Zemërim dhe polemika për vdekjen në autostradë

Zemërim dhe polemika për vdekjen në autostradë

Familjarët e 54 vjeçarit Seit Sorra, tregëtarit që u aksidentua për vdekje mëngjesin e të shtunës, kundërshtojnë vendimin që prokuroria mori për t’a hetuar në gjendje të lirë autorin e ngjarjes, deputetin e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet Aqif Rakipi.
Disa prej tyre dëshmitarë në aksidentin tragjik, nuk janë dakord me përfundimin e ekspertizës që nxjerr se faji për aksidentin ka qënë i 54 vjeçarit, i cili sipas saj i ka prerë rrugën deputetit Rakipi në autostradën Durrës – Tiranë.
Dy kushërinj të viktimës, të cilët punonin bashkë me të në Tregun Agroushqimor në autostradë, kanë parë të gjithë skenën e ngjarjes. Në dëshmitë e tyre për mediat ata thonë se shoferi që përplasi të afërmin e tyre, në vend që të ndalonte e t’i jepte ndihmën e parë personit që aksidentoi, e shtoi edhe më shumë shpejtësinë e u largua nga vendi i ngjarjes. “Ne pamë gjithçka sepse aty ishim, po shkonim te tregu. Nuk e aksidentoi Saitin, por e masakroi me makinë. E megjithatë as nuk e mori mundimin të ndalonte. Madje e shtoi edhe më shumë shpejtësinë duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, shprehen dëshmitarët.
Ndërsa një familjar i viktimës shkon edhe më tej, duke hedhur dyshime se deputeti mund të jetë larguar edhe për të fshehur diçka.
Jo zyrtarisht mësohet se ekspertiza ka nxjerrë fajtor viktimën Seit Sorra ndërkohë, vetë deputeti Rakipi do të hetohet në gjendje të lirë për akuzat “largim nga vendi i aksidentit” dhe “shkelje të rregullave të qarkullimit”.
Për hetimet në lidhje me aksidentin e shkaktuar nga deputeti Rakipi, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Demokratët ndërsa i referohen dëshmive të familjarëve të viktimës Sorra e cilësojnë kriminale sjelljen e organeve ligjzbatuese për të lënë të lirë deputetin Rakipi. “Nxitimi i policisë dhe organeve ligjzbatuese për të shpallur fajtor viktimën, e për të nxjerrë viktimë fajtorin vetëm pse është mik i Edi Ramës, është skandaloz, eshte revoltues, është poshtërues” shkruhet në deklaratën e demokratëve e cila bën thirrje për hetim të plotë të rrethanave dhe përgjegjësi të plotë para ligjit për deputetin.

Sicred