KRYEFAQJA » LAJME » Zaev dhe Rama në Pustec: Bashkëjetesa mes komuniteteve, ura që forcojnë miqësinë mes vendeve
Zaev dhe Rama në Pustec: Bashkëjetesa mes komuniteteve, ura që forcojnë miqësinë mes vendeve

Zaev dhe Rama në Pustec: Bashkëjetesa mes komuniteteve, ura që forcojnë miqësinë mes vendeve

Ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i shoqëruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama, ka vizituar Bashkinë e Pustecit ku u takuan me komunitetin maqedonas. Ata janë pritur me ngrohtësi nga banorët e Pustecit dhe autoritetet lokale. Zoti Zaev dhe Zoti Rama vizituan shkollën e bashkuar (9-vjeçare dhe e mesme) të zonës, ku nxënësit kënduan disa këngë në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht.
Kryeministri Zaev u shpreh i kënaqur të dëshmonte përdorimin e gjuhës maqedonase nga nxënësit. “Jam shumë i kënaqur që ndodhem sot, këtu në Pustec. Ne jemi mirëpritur nga banorët dhe patëm mundësinë të shikonim një performancë të shkëlqyer recitime në gjuhën maqedonase dhe atë shqiptare. Kjo tregon se gjuha maqedonase përdoret këtu dhe fëmijët e mësojnë atë. Shpresoj se gjuha maqedonase do të ushqehet këtu, natyrisht, në respekt të ligjeve në Shqipëri. Jam i kënaqur që sot jemi këtu, sëbashku me kryeministrin Rama, të shohim këtë shkollë dhe të takohemi me autoritetet lokale, të diskutojmë problemet me të cilat ata përballen dhe natyrisht, për të vazhduar marrëdhëniet me komunitetin maqedonas që jeton këtu në Pustec” tha zoti Zaev.
Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi rëndësinë që i kushtohet në Shqipëri bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme. “Besoj se është shumë domethënëse që ne jemi së bashku këtu, sot. Takimi me këtë komunitet nuk është thjesht një vizitë simbolike, por është edhe një mënyrë për të treguar për të gjithë opinionet tona publike në Shqipëri dhe Maqedoni, sesa shumë rëndësi ne i japim kësaj bashkëjetese dhe sa e rëndësishme është që njësoj si këta fëmijë që i flasin mrekullisht të dyja gjuhët, edhe Shqipëria dhe Maqedonia të komunikojnë mrekullisht me njëra-tjetrën” tha zoti Rama.
Vizita e zotit Zaev në Shqipëri dhe mbledhja e përbashkët mes qeverive në Pogradec, konsiderohet se ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Sicred