KRYEFAQJA » LAJME » “Yjet e legjendës”-dokumentar për klubin Partizani

“Yjet e legjendës”-dokumentar për klubin Partizani

“Yjet e legjendës”,  është titulli i dokumentarit sportiv që është promovuar në kinema “Milenium” mbrëmjen e së mërkurës dedikuar klubit të madh dhe me shumë histori “Partizani”.  Gazetari dhe skenaristi Gert Selenica, ka çelur takimin promovues duke prezantuar edhe stafin realizues  të dokumentarit, që kishte edhe punën e mrekullueshme të kolegëve të tij, operatorit Vladimir Grori, montazhit të Gjergji Panos dhe regjisë së Armand Vllahut.

Historia e klubit legjendë që nis në vitin 1946 dhe vijon me shumë tituj, trofe dhe emra mitikë, erdhi në më shumë se 90 minuta e mbushur me emocione , pamje filmike që shfaqen për herë të parë, por edhe intervista, por edhe intervista me protagonistë që jetojnë, por edhe që janë ndarë nga jeta, mes të cilëve më të spikaturit Loro Boriçi, Refik Resmja, Panajot Pano, Safet Berisha, Lin Shllaku, Agim Murati, Lefter Millo dhe mjaftë të tjerë . Nuk munguan edhe episodet e mjaftë ndeshjeve ndërkombëtare, si për “Partizanin” ashtu edhe futbollistët e kësaj skuadre që veshën fanellën e kombëtares shqiptare. Dokumentari solli edhe episodin e dënimit absurd të klubit të kuq në Lisbonë, në një ndeshje të Kupave të Europës ku u përjashtua për pesë vjet.

Mbyllja e dokumentarit i është kushtuar projekteve të mëdha të presidentit të “Partizanit” Gazmend Demi, i cili po mundëson një ekip ambicioz, por edhe një klub me infrastrukturë bashkëkohore.

Dokumentari plotëson një boshllëk të munguar në vite, duke sjellë në ekran një histori të madhe të klubit legjendë “Partizanit”.

Sicred