KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Xhonson nis vizitën në Uashington

Xhonson nis vizitën në Uashington

Sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Xhonson, fillon të dielën një vizitë dyditore në Uashington, ku pritet t’i kërkojë administratës amerikane që të mos tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare e cila synon të parandalojë që Irani të mos blejë armë bërthamore. Zoti Xhonson do të takohet me zëvendëspresidentin Majk Pens, Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton dhe liderë të politikës së jashtme në Kongres.
Britanisë së Madhe dhe aleatëve europianë u duhet që deri në datën 12 maj të bindin Presidentin Donald Tramp që t’i qëndrojë paktit të firmosur në vitin 2015 nga Irani dhe gjashtë fuqitë botërore. Zoti Tramp e ka kritikuar këtë marrëveshje, të cilën ai e konsideron si të çmendur. Nën marrëveshjen historike të nënshkruar nga SHBA-të, Kina Rusia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Irani, ky i fundit bie dakord që të kufizojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të vendosura ndaj ekonomisë së tij. Aleatët europianë të SHBA-ve, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania ndajnë mendimin se marrëveshja aktuale është mënyra më e mirë për të frenuar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Edhe OKB e ka paralajmëruar zotin Tramp që të mos tërhiqet nga marrëveshja, por presidenti amerikan ka kërcënuar se do të tërhiqet nëse palët nënshkruese nuk bien dakord që të rregullojnë problemet katastrofike të paktit, siç u shpreh ai.
Ndërkohë Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani është shprehur se SHBA-të do të pendohen nëse dalin nga pakti. Sipas tij, Irani ka një plan për t’u kundërpërgjigj cdo vendimi që mund të merret nga Tramp. – I kemi dhënë urdhër organiztës sonë të energjisë atomike si dhe sektorit ekonomi që të përgatiten për t’u përballur me komplotet e Amerikës ndaj vendit tonë, – theksoi Ruhani, gjatë një fjalimi që u transmetua nga televizioni shtetëror i atij vendi.

Sicred