KRYEFAQJA » LAJME » Xhaka-Panuçi, tjetër krisje?

Xhaka-Panuçi, tjetër krisje?

Një shishe uji e hedhur në nervozizëm e sipër në ndeshjen me Zvicrën, gjatë finaleve të evropianit Francë 2016, kur De Biazi e zëvendësoi Taulant Xhakën, është inisiatore e gjithë situatës që solli krisjen e marrëdhënieve midis futbollistit dhe trajnerit. I pakënaqur me zëvendësimin reagimi i mesfushorit kuqezi nuk ishte i mirë. Një tjetër episod ishte ai kur Taulant Xhaka braktis grumbullimin pas ndeshjes Itali-Shqipëri, pasi mëson se nuk ishte në formacionin titullar, duke lënë në baltë shokët e skuadrës. Dhe për ta mbyllur, vetë futbollisti deklaron se sa të jetë trajneri De Biazi në drejtim të kombëtares ai nuk kthehet më. Tashmë De Biazi iku, erdhi Kristian Panuçi. Me të drejtë trajneri i ri italian, pa marrë parsysh se çka ndodhur, ka shkuar ta shikojë Xhakën në Zvicër gjatë një ndeshje që mesfushori kuqezi do të luante me Bazelin. Por trajneri i ri i skuadrës zvicerane, Rafael Viki nuk e ka aktivizuar Xhakën. Më pas futbollistët që nuk luajtën në ndeshje, kanë kryer një seancë stërvitore. Panuçi e ka pritur futbollistin pas stërvitjes por sërish nuk kanë mundur të takohen. Duket se kjo gjë ka shkaktuar zemërim tek trajneri i ri i kuqezinjve, i cili gjithsesi nuk ka dashur të prononcohet. Mund të jetë një refuzim nga ana e futbollistit për t’u takuar me trajnerin Panuçi, por reagimi i futbollistit në faqen e tij në fejsbuk tregon gjë tjetër, gatishmërinë e tij për të kontribuar në kombëtare. “Gjithçka që shkruhet në media nuk është aspak e vërtetë. Nuk dua të merrem me detaje, por dua të them hapur publikisht, që me trajnerin Mister Panucci kam pas kontakte pozitive. Unë Taulant XHAKA jam gati edhe do jem gjithmonë gati për kombëtaren kuqezi. Do jem gjithmonë i gatshëm për kombëtaren. Në çdo kohë do jem aty dhe kurrë nuk e kam menduar dy herë këtë vendim. Jam krenar që përfaqësoj kombëtaren kuqezi” shkruan Xhaka në rrjetin social.  Ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit ka deklaruar se trajneri Panuçi do të japë çdo lloj sqarimi për listën e të ftuarve në kombëtare, në 28 gusht, në konferencën për shtyp përpara grumbullimit të ekipit kombëtar.

Sicred