KRYEFAQJA » LAJME » Xhaferri: Qeveria e re do të zgjidhet e miratohet nga parlamenti

Xhaferri: Qeveria e re do të zgjidhet e miratohet nga parlamenti

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, deklaroi se shpreson që presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë udhëheqësit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev. Por ai shtoi se, nëse kjo nuk ndodh deri në 20 maj, atëherë fati i krijimit të qeverisë dhe institucioneve varet tërësisht nga shumica parlamentare në Kuvend. Xhaferri tha se shkuarja e VMRO-së në opozitë është realitet dhe se zgjedhja e tij në krye të parlamentit është fillimi i fundit të krizës politike. I pyetur nëse pret që Ivanovi sërish të bëjë përpjekje për të shmangur dorëzimin te Zaevi të mandatit për formimin e qeverisë së re, Xhaferri tha se dëshiron që presidenti ta bëjë atë brenda kohës së përcaktuar me Kushtetutë, por nuk e përjashtoi edhe të kundërtën. “Duhet të jem i gatshëm për çdo variant si kryetar i parlamentit dhe, brenda kompetencave që kam, të veproj me kërkesën e shumicës së deputetëve”, tha Xhaferri. Sipas tij, zgjedhja e qeverisë me kërkesën e shumicës parlamentare është tërësisht legjitime, sepse, siç tha, Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës parashohin juridiksionin e parlamentit për zgjiedhjen e qeverisë dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta parandalojë.

Sicred