KRYEFAQJA » LAJME » Xhaçka: Radarë për të mbajtur nën vëzhgim hapësirën ajrore

Xhaçka: Radarë për të mbajtur nën vëzhgim hapësirën ajrore

Shqipëria do të blej radarë për të mbajtur nën vëzhgim hapësirën e saj ajrore. Këtë e njoftoi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka kur inspektoi Bazën Ajrore të Farkës, pak kilometra larg Tiranës. “Kemi siguruar fondet e nevojshme për blerjen e sistemit radar ajror, investimi i parë për ruajtjen e qiejve shqiptarë në demokraci” tha zonja Xhaçka. “Së bashku me Ministrin e Brendshëm, kolegun Fatmir Xhafa kemi ngritur një grup të përbashkët inspektimi për të inspektuar në detaje situatën aktuale me vëzhgimin e hapësirës detare. Do të nxjerrim konkluzionet e nevojshme dhe përgjegjësitë e rastit” shtoi ajo.  “Do të përmirësojmë ndjeshëm çdo njësi e tregues për t’i shërbyer qytetarëve të këtij vendi. Ministra e mbrojtjes tha se “… duhet të ngremë në maksimum vëmendjen dhe kontrollin ndaj çdo fenomeni apo situate”. Përmes aktit normativ, të miratuar pak javë më parë, Qeveria dha mbështetjen e saj për Forcat e Armatosura. Janë katërqind milionë lekë të reja, të cilat, që sipas Ministres Xhaçka do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura.

Deklarata e zonjës Xhaçka vjen ndërsa Ministria e Mbrojtjes, drejtimin e të cilës ajo sapo e ka marrë, është vënë në qendër të kritikave veçanërisht nga opozita,  se ka shuar radarët e kontrollit duke ju ardhur në ndihmë trafikantëve të drogës veçanërisht nga deti.

Ndërkaq Ministria e mbrojtjes ka nisur dhe kontrollin për të gjitha ish pronat që administrohen nga Forcat e Armatosura, për të shmangur veprimtaritë e paligjshme në to. Ministrja Olta Xhaçka tha se “ka nisur një kontroll të imtësishëm nëpër të gjitha ish-pronat të cilat ka nën administrim. Çdo repart e komandë është ngarkuar që me të gjitha burimet njerëzore në dispozicion, të evidentojë saktësisht statusin aktual pikërisht të atyre pronave që aktualisht nuk janë vend-dislokime ushtarake” Sipas saj ky kontroll po ndërmerret për parandalimin e mundësive për ushtrim aktivitetesh të paligjshme nëpër këto prona.

Sicred