KRYEFAQJA » LAJME » Xhaçka – Berisha: Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes

Xhaçka – Berisha: Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes

Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes. Kjo u bë e ditur në takimin mes dy ministrave te rinj të të dy vendeve, zonjës Olta Xhaçka dhe zotit Rrustem Berisha, takim që u zhvillua të martën në Tiranë. Ministrja Xhaçka tha se Shqipëria do të jetë një avokat i denjë i aspiratave të Kosovës për integrimin euroatlantik. “Integrimi i Kosovës është një destinacion i natyrshëm, sikundër për të gjitha vendet e Ballkanit. Garantoj gatishmërinë tonë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve e mbi të gjitha për të ndarë me Qeverinë e Kosovës, eksperiencën tone lidhur me anëtarësimin në NATO” tha Ministrja Xhaçka. gjatë takimit mes dy delegacioneve.
Për Ministrin e Forcës për Sigurinë e Kosovës Rrustem Berisha, Shqipëria është aleati më i fuqishëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut dhe jo vetëm. “Prioriteti aktual i FSK është të përshpejtojë transformimin në Forca të Armatosura” tha ai. “Dhe më lejoni të theksoj edhe këtu në Tiranë se formimi i FA nuk është në kundërshtim me pakicat serbe, por përkundrazi, është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës” nënvizoi Ministri Berisha.
Për gazetarët zonja Xhaçka deklaroi se “Profesionalizmi dhe devotshmëria e FSK-së në përmbushje të detyrimeve që rruga e integrimit në NATO imponon, besojmë se do të shpërblehet shumë shpejt.
E sigurova Ministrin Berisha se bashkëpunimi ynë do të vijojë me ritëm intensiv si përherë. Ka një implementim pothuaj tërësor, sipas referencës kohore, të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2017, ndërkohë që stafet po punojnë për planin e vitit që vjen” tha ajo
Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni kosovar, mori pjesë në një mësim tregues mbi taktikat stërvitore për pjesëmarrjen në misione, në batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr.

Sicred