KRYEFAQJA » LAJME » Washington, Sessions pret Metën, “Një Amerikë më e fortë kërkon një Shqipëri të fortë”

Washington, Sessions pret Metën, “Një Amerikë më e fortë kërkon një Shqipëri të fortë”

Në vijim të vizitës së tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Ilir Meta u prit në takim nga Kongresmeni Pete Sessions, Kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongresin Amerikan. Kongresmeni Sessions vlerësoi rëndësinë e miratimit të reformës në drejtësi. Ai nënvizoi mënyrën e miratimit të saj konsensual dhe vlerësoi vendosmërinë e zotit Meta për konsensus të plotë, duke konfirmuar se edhe administrata e re amerikane do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në implementimin përfundimtar të saj. “Kjo reformë, nënvizoi zoti Sessions, i shërben jo vetëm ndërtimit të institucioneve të besueshme të drejtësisë, por edhe forcimit të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë”. “SHBA do të vazhdojnë të ndjekin nga afër dhe do të mbështesin angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe do të jetë në krah të saj, si anëtarë të NATO-s, në sfidat e tjera bashkëkohore”, konfirmoi Kongresmeni Sessions. Një Amerikë më e fortë kërkon një Shqipëri të fortë, theksoi gjatë takimit Pete Sessions.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Meta uroi Kongresmenin Sessions për rizgjedhjen e tij si Kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, për fitoren e maxhorancës së Partisë Republikane në Kongres e në Senat si dhe për fitoren e Presidentit Trump. Ai e falënderoi Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave për mbështetjen deritanishme të SHBA-së dhe siguroi se Shqipëria është e vendosur të përmbushë në një kohë të shpejtë implementimin e plotë të reformës në drejtësi përmes zbatimit të ligjit të Vetting-ut dhe krijimit të institucioneve të reja. Zoti Meta e siguroi zoti Sessions për qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në përballjen e sfidave të përbashkëta dhe përmbushjen e detyrimeve të saj në partneritetin strategjik që ajo ka me SHBA-në. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit Meta e ftoi zoti Sessions për një vizitë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi të veçantë.

Sicred