KRYEFAQJA » LAJME » The Associated Press: Nivica si 4000 vite më parë

The Associated Press: Nivica si 4000 vite më parë

The Associated Press e më pas duke iu referuar kësaj edhe Washington Post kanë botuar një shkrim kushtuar fshatit Nivicë në Tepelenë. “Projekti që synon të tërheqë turistë në fshatrat e thella të Shqipërisë”, është titulli i shkrimit të gazetares Elena Becatoros, e cila përshkruan se si lart në malet e jugut të Shqipërisë, një udhëtim përgjatë një rruge të vështirë të frekuentuar më shumë nga dhitë sesa nga makinat, të çon në një grup fshatrash, ku koha duket se ka ndaluar prej dekadash. Ku qumështi i deles ende transportohet me gomar për tek djathëbërësit lokalë. E ku shihni njerëzit që mjelin delet dhe dhitë e tyre ashtu siç bënin 4.000 vjet më parë. Apo fshatarë të moshuar qe ngjisin malin për të mbledhur rigon të egër dhe bimë të tjera. I pozicionuar përgjatë një shkëmbi pas rrënojave të një fortese të vjetër, fshati Nivicë është i panjohur për shumë njerëz edhe në Shqipëri. Por një projekt ambicioz synon që ta hapë atë për turistët. Projekt që përfshin rikuperimin e ndërtesave të vjetra që do të përdoren si bujtina, për të ndihmuar vendasit të nisin aktivitete private, duke transformuar shtëpitë e tyre në ‘bed and breakfast’. Më tej citohet Auron Tare, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit që po drejton projektin Nivica, e që thotë se “Projekti pilot rrotullohet rreth konceptit se si të lidhim komunitetet rurale që janë shumë afër vijës bregdetare, por që nuk janë ndihmuar kurrë nga turizmi bregdetar”. Atraksionet e zonës janë të shumta. Burime me ujë të kristaltë rrjedhin nëpër kanione dhe gryka duke përvijuar peizazhin. Ura të vogla prej guri të epokës osmane, të paprekura prej shekujsh. Përveç peizazhit, arsyeja për të ardhur këtu janë historitë. Ky është një vend nga ku kanë kaluar trupat romake, normanët, osmanët. Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore. Rreth 150 turistë kanë vizituar fshatin gjatë muajit të kaluar, kryesisht cekë. Por zona është ende larg të qenit një udhë e rrahur; shumë prej atyre që jetojnë në bregdet, në anën tjetër të maleve, nuk kanë dëgjuar asnjëherë për Nivicën. Shkrimi është promovuar edhe nga kryeministri Edi Rama në faqen e tij në FB.

Sicred