KRYEFAQJA » LAJME » “WADA” i heq Rusisë pezullimin 3-vjeçar për doping

“WADA” i heq Rusisë pezullimin 3-vjeçar për doping

Agjencia Botërore e Anti-Dopingut (WADA) vendosi të enjten pasdite që t’ia heqë pezullimin Agjencisë Ruse të Anti-Dopingut, çka u hap rrugë të gjithë sportistëve ruse që të rikthehen normalisht në konkurrim në të gjitha sportet. “Shumica dërrmuese e Komitetit Ekzekutiv të WADA-s vendosi ta rikthejë RUSADA-n në gjirin e familjes së saj, por në përputhje me Kodin Botëror të Anti-Dopingut dhe mbi bazën e kushteve të rrepta”, – deklaroi president i WADA-s, Kreig Ridi. Ai theksoi se ky vendim “parashikon edhe një kalendar të qartë sipas të cilit WADA-s do t’i jepet mundësia për të shqyrtuar dhe kontrolluar të gjitha të dhënat dhe mostrat e ish-laboratorit të Moskës”. Kreu i Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut shtoi se, nëse kushtet e vendosura nuk plotësohen, pezullimi i Agjencisë Ruse të Anti-Dopingut do të mbetet në fuqi. Ndërkohë që vendimi i WADA-s është përshëndetur nga zyrtarët ruse, që e kanë cilësuar atë si shpërblim të punës së bërë gjatë këtyre 3 viteve, Agjencia Amerikane e Anti-Dopingut e cilësoi këtë vendim si një “goditje vdekjeprurëse për sportistët e pastër dhe të ndershëm të botës, “një vendim i marrë nga një grusht zyrtarësh burokratë, që shkelin mbi të drejtat e miliona sportistëve të pastër dhe mbi ëndrrat e miliarda sportdashësve”. Mbetet për t’u parë sesi do të reagojnë federatat sportive ndërkombëtare mbi këtë vendim, e sidomos Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Federata Ndërkombëtare e Atletikës, e cila ka qenë më e ashpra në këtë drejtim ndaj sportistëve rusë.

Sicred