KRYEFAQJA » LAJME » Bota » WADA “amniston” atletët rusë nga dopingu

WADA “amniston” atletët rusë nga dopingu

Agjencia Ndërkombëtare Antidoping (WADA) ka vendosur të tërheqë akuzat për doping ndaj 95 atletëve rusë nga 96 të dënuar, që ishin akuzuar prej saj gati dy vite më parë për përdorim të substancave të ndaluara. Lajmin e ka konfirmuar prestigjiozja “Nju Jork Tajms”, që i referohet një raporti të brendshëm të Agjencisë Botërore të Antidopingut, atje ku thuhet se ajo nuk ka provat e mjaftueshme për të vijuar hetimet dhe për të dënuar atletët rusë. Ky raport i brendshëm mban firmën e Oliver Niglit, drejtorit i përgjithshëm të WADA-s, i cili shprehet se hetuesit e këtij institucioni nuk kanë arritur të gjejnë provat e mjaftueshme. Duket se sistemi korruptiv i ngritur nga antidopingu rus, që kishte si synim shkatërrimin e provave, ka arritur të triumfojë, duke mos bashkëpunuar me ndërkombëtarët në analizën e epruvetave me urinë dhe gjak. Ky hetim i Agjencisë Botërore të Antidopingut ka nisur gati dy vite më parë, kur dhe plasi skandali doping në Rusi, që solli përjashtimin e shumë sportistëve rusë nga Lojërat Olimpike “Rio 2016”, kryesisht në sportin e atletikës. E kjo disiplinë vijon të jetë e pezulluar nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare. Duket se WADA nuk ka gjetur rrugët e duhura për të vijuar këtë betejë dhe janë dorëzuar shpejt edhe pse sinjalet e ardhura nga Rusia kanë folur qartë për skandalin e përdorimit të substancave të ndaluara. Kjo tërheqje mund të krijojë mjaft polemika, pasi do të ishte “shumë zhurmë për asgjë”, ndërkohë që situata e krijuar vitet e fundit ka krijuar edhe konflikte politike mes Moskës dhe Uashingtonit.

Sicred