KRYEFAQJA » LAJME » Vrasja e vajzës tek “Don Bosko”, policia i kalon përgjegjësinë policisë
Vrasja e vajzës tek "Don Bosko", policia i kalon përgjegjësinë policisë

Vrasja e vajzës tek “Don Bosko”, policia i kalon përgjegjësinë policisë

Shërbimi për Çështjet e Brendshme ia ka kaluar prokurorisë përgjegjësinë e mosreagimit për rastin e kallëzimit që 19 vjecarja Xhuljeta Çuni bëri ndaj përndjekjeve që Xhafer Mata i bënte të resë. Menjëherë pas ngjarjes që tronditi Tiranën ku 31 vjecari Mata qëlloi për vdekje mbi vajzën që e dashuronte e më pas vrau me një plumb edhe veten, në media u publikua një kallëzim që vajza kishte bërë pranë policisë. Ky rast hodhi dyshime të neglizhencës së organeve policore, ç’ka mund të kishte parandaluar krimin e dyfishtë. Denoncimeve mediatike iu përgjigj drejtoria e njohur si Kontrolli i Brendshëm e cila bëri publike sot verifikimet e kryera mbi veprimet e uniformave blu me rastin në fjalë. Nga kqyrja e librave të shërbimit rezultoi se më 7 maj 2018 Xhuljeta Çuni ka denoncuar atë që një muaj më vonë do të bëhej edhe ekzekutori i saj, shtetasin Xhafer Mata. E reja e ka denoncuar për ngacmim dhe përndjekje të vazhdueshme 31 vjeçarin, ndërsa sqarohet se policia e referoi kallëzimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pas vlerësimit të kallëzimit nga Prokuroria është bërë rregjistrimi i procedimit penal, për të vijuar më pas me hetimin. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm sqaron se pas këtij momenti prokuroria nuk i ka deleguar veprime të tjera shtesë Policisë, duke vijuar vetë me veprimet hetimore.
Gjithashtu theksohet fakti që Policia e Shtetit që pas asaj date nuk ka marrë asnjë ankesë tjetër apo t’i jetë bërë prezent ndonjë shqetësim nga 19 vjeçarja. Përplasja mes policisë dhe prokurorisë është bërë shpesh publike vetëm kur ngjarjet e caktuara kanë pasur pasoja tragjike.