KRYEFAQJA » LAJME » Vrasja e policëve, Dritan Dajti i shpëton burgimit përjetë

Vrasja e policëve, Dritan Dajti i shpëton burgimit përjetë

Me dënimin 25 vjet burg për kryerjen e pesë vrasjeve mes tyre 4 policë, u mbyll pasditen e të premtes, ndoshta gjyqi më i gjatë penal zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Dritan Dajti i shpëtoi dënimit me burgim të përjetshëm pas pranimit nga Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda e shpalli atë të fajshëm për vrasjet, por pranoi gjykimin e shkurtuar duke shmangur në këtë mënyrë dënimin e përjetshëm.

Gjithçka nisi më 7 Gusht të 2009, ku në një përplasje me armë mes policisë dhe Dajtit, në plazhin e Durrësit, u vranë katër policët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollarri. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Dajti dhe u vra miku i tij Ledio Mara.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor Dajti nuk mori avokat, por nuk pranoi as avokatët kryesisht të përcaktuar nga shteti. Pas një kalvari seancash, pavarësisht mungesës së avokatit, ai mori dënim me burgim të përjetshëm.

Por Gjykata e Lartë e ktheu për rishqyrtim për shkelje procedurale sërish në shkallë të parë. Gjatë rishqyrtimit Dajti nuk e pranoi sërish mbrojtjen, por gjithsesi ai u gjet serish fajtor për vrasjen e 4 policëve. Tashmë është apeli që i uli atij 1/3 e dënimit duke ia kthyer në 25 vjet burg. Anëtaret e trupës gjykuese nuk i përkasin Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi ata janë gjyqtarë të deleguar që vijnë nga gjykatat e Apelit në rrethe. Kjo për shkak se të gjithë gjyqtarët kishin konsumuar të paktën një herë të drejtonin seancat ndaj Dajtit dhe ishin përjashtuar nga gjykimi ndaj tij. Ky është rasti i parë që një vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk e dënon me burgim të përjetshëm ata që gjen fajtor për vrasjen e policëve.

Dritan Dajti deri tani ka vuajtur gati 10 vite paraburgim, të cilat i llogariten rreth 15 vite burgim.

Sicred