KRYEFAQJA » LAJME » Volejboll, shqiptarja Erblira Bici në krye të serisë A2 në Itali
Volejboll, shqiptarja Erblira Bici në krye të serisë A2 në Itali

Volejboll, shqiptarja Erblira Bici në krye të serisë A2 në Itali

Sportistja shqiptare, Erblira Bici, vazhdon të spikatë në nivelin e dytë të Kampionatit Italian të Volejbollit për Femra, që njihet si Seria A2, duke qenë protagoniste me skuadrën e saj, LPM Mondovi. 23-vjeçarja ishte shtysa kryesore e ekipit të saj drejt arritjes së finales së Kupës së Italisë për Serinë A2. Për fat të keq, në finalen që u zhvillua në mes të shkurtit, ekipi i saj u mund 1-3 përballë Marinjanos, pavarsisht se volejbollistja kuqezi shënoi plot 25 pikë. Megjithatë, LPM Mondovia mbetet në rrugë të mbarë për një tjetër arritje, edhe më të madhe këtë sezon. Skuadra e diagonalistes shqiptare mban kreun e renditjes së Serisë A2, me 58 pikë të marra në këto 26 javë kampionat, ku ka korrur 19 fitore dhe ka pësuar vetëm 6 humbje, ndërsa ndiqet pikërisht nga Marinjano, që ka dy pikë më pak. Të dyja skuadrat ndeshen sërish në kampionat, në kuadër të javës së 27-të, në takimin që zhvillohet më 4 mars 2018 në fushën e Marinjanos dhe që padyshim mund të rezultojë vendimtar për fatet e këtij sezoni. Në planin personal, Bici po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm, duke u renditur në 5-shen e parë të renditjes së shënueseve më të mira të Serisë A2, me 441 pikë të realizuara në 26 ndeshje, mesatarisht afro 17 pikë për çdo ndeshje. Duhet theksuar se sportistet e tjera që renditen në këtë 5-she, kanë luajtur më tepër sete sesa lojtarja shqiptare. Volejbollistja 1 m e 84 cm të lartë ka realizuar 20 pikë në fitoren 3-0 të arritur në fundjavë në shtëpi ndaj Peruxhias dhe, me 441 pikët që ka shënuar deri më tani në kampionat, ajo ka realizuar 1/3-ën e 1395 pikëve të realizuara nga e gjithë skuadra e saj.

Sicred