KRYEFAQJA » LAJME » Volejboll, Sava Thaka e nis bindshëm vitin 2018
Volejboll, Sava Thaka e nis bindshëm vitin 2018

Volejboll, Sava Thaka e nis bindshëm vitin 2018

E pati nisur 2017-ën në Poloni, me KS Ostroviecin dhe e ka mbyllur atë më në jug, në Sllovaki, ku ka milituar me sukses në radhët e BK 97 Stovës. Ka shënuar 184 pikë në 17 ndeshje, apo thënë ndryshe me 10.8 pikë për çdo ndeshje.
Por 2018-ta ka nisur ndryshe për Sava Thakën. Volejbollistja shqiptare e ka rritur nivelin e saj të lojës, duke u konfirmuar në të gjitha të dhënat si lojtarja më e mirë e skuadrës. Vetëm në 4 ndeshjet e para të këtij viti, qendra e Kombëtares kuqezi të vajzave ka realizuar plot 64 pikë, me një mesatare prej 16 pikësh të realizuara për ndeshje. Thaka e ka çuar në 253 numrin e pikëve që ajo ka realizuar gjithsej në 21 ndeshjet e deritanishme të këtij sezoni.
Më tej lojtarja 1 m e 94 cm e lartë është aktualisht një nga 2 qendrat më efikase të kampionatit sllovak të volejbollit të femrave, me 61 mure të suksesshme deri më tani.
Skuadra e shqiptares ka korrur dy fitore dhe ka pësuar dy humbje në 4 ndeshjet e para të këtij viti. Por me triumfin në 5 sete në fushën e vet të dielën ndaj Pezhinokut, i është larguar edhe më tej luftës për mbijetesë në grupin e skuadrave që tanimë janë ndarë në dy pjesë, me 4 të parat që luftojnë për titullin. Volejbollistja korçare është shpallur në dy takimet e fundit të skuadrës së saj, si “Lojtarja më e Mirë e Ndeshjes” (MVP). Forma gjithnjë e në rritje e 26-vjeçares Sava Thaka është një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare të vajzave të rrjetës, të cilën e pret këtë vit një sfidë e shumëfishtë në arenën ndërkombëtare.

Sicred