KRYEFAQJA » LAJME » Volejboll, legjionarët e rrjetës vijojnë paraqitjet e kënaqshme
Volejboll, legjionarët e rrjetës, vijojnë paraqitjet e kënaqshme

Volejboll, legjionarët e rrjetës vijojnë paraqitjet e kënaqshme

Ka qenë dy javë të përziera sa u përket rezultateve kjo për 3 volejbollistet e Kombëtares shqiptare që militojnë në kampionatet e huaja. Megjithatë, për pasuesen Sindi Marina, që luan në kampionatin amerikan të kolegjeve, por edhe qendra Sava Thaka, në kampionatin sllovak, dhe diagonalistja Erblira Bici në kampionatin italian, kanë ruajtur një nivel të kënaqshëm sa u përket statistikave personale. Për 19-vjeçaren Marina, 10-ditëshi nga data 13, deri më 22 tetor ka sjellë 4 ndeshje, nga të cilat skuadra e saj, ajo e Universitetit të Kalifornisë Jugore, ka fituar të parën, 3-1 ndaj Golden Bears, ka vijuar të humbë dy të tjerat, 1-3 përballë Stenfordit dhe 0-3 përballë Bafalosë, por është rikthyer të fitojë të fundit në 5 sete ndaj Jutas. Gjatë këtyre ndeshjeve, Sindi ka dhënë gjithsej 79 pasime të sakta për pikë, thuajse 20 për ndeshje, ndërsa ka bërë edhe 16 pritje të suksesshme, si dhe ka shënuar dy herë direkt nga shërbimi. Ndërkaq, pas 2 fitoreve radhazi, skuadra e Erblira Bicit, LPM Mondovi, që militon në nivelin e dytë të kampionatit italian të volejbollit, që njihet si Seria A2, ka vijuar të pësojë dy humbj radhazi, kjo edhe për shkak të dëmtimeve të disa titullareve. Skuadra e 22-vjeçares ka humbur në 3 sete përballë Soveratos, në takimin e vlefshëm për javën e 3-të, dhe ku Bici realizoi 20 pikë, duke vijuar të mundet me të njëjtat shifra edhe në takimin e javës së 4-t, në fushën e Breshias. Megjithatë, volejbollistja 1 m e 86 cm e lartë ka ruajtur një mesatare të kënaqshme prej 19 pikësh për ndeshje në këto 4 javët e para, duke qenë një nga pikat kyçe të skuadrës. Ndërkaq, volejbollistja tjetër e Kombëtares kuqezi, Sava Thaka, dhe skuadra e saj, BK 97 Stova, është rikthyer në fundjavë tek fitorja, që ishte e dyta këtë sezon pas 3 humbjesh radhazi, duke mposhtur në 3 sete në shtëpi Nove Meston. 26-vjeçarja ishte shënuesja më e mirë e skuadrës së saj në këtë fitore, me 12 pikë, ndërsa mban edhe vendin e 4-t në renditjen e kampionatit sllovak të volejbollit për femra, me 80 pikë të realizuara në 6 ndeshje.

Sicred