KRYEFAQJA » LAJME » Volejboll, Erblira Bici shkëlqen në Itali
Volejboll, shqiptarja Erblira Bici në krye të serisë A2 në Itali

Volejboll, Erblira Bici shkëlqen në Itali

Një fillim bindës, me dy fitore 3-1 në dy ndeshjet e para, një në fushë të huaj dhe një në fushën e vet, një vend në 3-shen e parë të renditjes midis skuadrave që kanë marrë pikë të plota në këtë nisje të sezonit të nivelit të dytë të Kampionatit Italian të Volejbollit për Femra, që njihet si Seria A2.
Por më tepër se kaq, një paraqitje personale e jashtëzakonshme për volejbollisten shqiptare, Erblira Bici, në sezonin e dytë me skuadrën e saj, LPM Mondovinë. Pasi e kishte udhëhequr skuadrën në atë fitore 3-1 të arritur në javën e parë në Siçili përballë Marsalasë vendase, duke shënuar 22 nga 96 pikët e realizuara nga skuadra e saj, 22-vjeçarja ka shkuar një hap më larg në takimin e javës së dytë. Ajo e ka udhëhequr ekipin e veriperëndimit të Italisë drejt një tjetër fitoreje 3-1 në përballjen në fushën e vet me Trentinon, duke e marrë praktikisht për dore skuadrën e vet me realizimin e më tepër se ¼-ës së pikëve të realizuara nga LPM Mondovija. Sportistja 1 metër e 86 cm ka realizuar 24 nga 92 pikët e skuadrës së saj, e cila ka vuajtur mungesën e një titullareje të qendrës, ndërsa gjatë ndeshjes është dëmtuar edhe një tjetër titullare e qendrës. Bici dhe shoqet e saj të ekipit kanë treguar karakter, duke arritur atë që media vendase e ka cilësuar si një “fitore të skuadrës”. Volejbollistja e Kombëtares kuqezi ka realizuar deri më tani 46 pikë, nga 188 që ka realizuar skuadra e saj në këto 8 sete, duke qenë padyshim më e mira e LPM Mondovisë në këto dy javë të para. Ndeshja e radhës për Erblira Bicin dhe skuadrën e saj është vizita që do t’i bëjnë të mërkurën në mbrëmje Soveratos.

Sicred