KRYEFAQJA » LAJME » Volejboll, Erblira Bici, pikëshënuesja e dytë në Serinë A2

Volejboll, Erblira Bici, pikëshënuesja e dytë në Serinë A2

Erblira Bici, po përjeton një nga sezonet më të mira të karrierës së saj, duke u renditur e dyta në listën e pikëshënueseve më të mira të nivelit të dytë të kampionatit italian të volejbollit për femra, që njihet si Seria A2. Në fakt, sportistja 1 m e 86 cm e lartë ka qenë vendimtare në formën e mirë të skuadrës së saj, LPM Mondovisë, që, ndonëse në sezonin e dytë të këtij niveli të rrjetës “axurre” të vajzave, synon të përfshihet në betejën për një vend në nivelit më të lartë të kampionatit italian të volejbollit, në Serinë A1. 14 pikët e realizuara në fitoren në 3 sete (25-20 25-19 25-19) që Mondovija arriti më 12 nëntor në fushën e vet ndaj Club Italia Crai-t, ku Bici ishte shënuesja më e mirë e skuadrës së bashku me Riveron, janë pasuar nga një tjetër paraqitje e shkëlqyer këtë të diel, në një tjetër fitore 3-0. Skuadra e diagonalistes shqiptare ka trimfuar në 3 sete (21-25 19-25 21-25) në fushën e Peruxhias, ndërsa 22-vjeçarja ka realizuar 21 nga 58 pikët që Mondovija realizoi në këtë fitore, ku 17 pikët e tjera erdhën nga gabimet e kundërshtarit. Këto 35 pikë të realizuara në dy ndeshjet e fundit, e kanë ngjitur Bicin në kuotën e 178 pikëve të realizuara në 33 setet e 9 takimeve që luajtur deri më tani, me një mesatare prej 19.7 pikësh për ndeshje. Shqiptarja renditet e dyta në listën e pikëshënueseve më të mira, pas Aleksa Grejit të Soveratos, ndërsa skuadra e saj renditet e 4-ta, në Serinë A2, pas 9 javësh. Mondovija ka grumbulluar 19 pikë, po aq sa ka edhe Soverato e vendit të 3-të, që ka luajtur sidoqoftë një ndeshje më pak. Të dyja skuadrat janë vetëm një pikë pas dyshes së kreut, Marinjanos dhe Kuneo Volejit dhe duket se, edhe falë lojës së shkëlqyer të shqiptares, skuadra e Erblira Bicit është në rrugë të mbarë për një vend në “play-off”-in final për titullin dhe ngjitjen në Serinë A1.

Sicred