KRYEFAQJA » LAJME » Volejboll, Erblira Bica e nis mbarë sezonin në Itali

Volejboll, Erblira Bica e nis mbarë sezonin në Itali

Pavarsisht një dëmtimi të lehtë, të pësuar në ditët e para të javës së shkuar, Erblira Bici e ka nisur mjaft mirë sezonin e ri të nivelit të dytë të kampionatit italianit të volejbollit të femrave, duke e udhëhequr skuadrën e saj, LPM Mondovinë, drejt një fitoreje komode, 3-1 ndaj Sigel Marsalasë, në takimin e javës së parë, të zhvilluar në fushën e kësaj të fundit. Volejbollista e Kombëtares kuqezi ka qenë e papërmbajtshme, duke realizuar 22 pikë, nga 96 gjithsej që realizoi skuadra e saj. Nga këto, 18 pikë Bici i realizoi në sulm, 1 në bllok, si dhe 3 direkt nga shërbimi, për të cilin ajo spikat në fakt. Sportistja 1 m e 86 cm e lartë ka bërë një lojë të mirë në setin e parë, të cilin skuadra e saj e fitoi me rezultatin 25-19, ndërsa nuk ka arritur të dalë në lojën e vet në setin e dytë, që u fitua nga ekipi vendas me shifrat 25-21. Sidoqoftë, volejbollistja shqiptare është rikthyer fuqishëm në setin e tretë, të cilin skuadra e LPM Mondovisë e fitoi 25-18, duke vazhduar ta ruajë nivelin e lartë të lojës së saj edhe në setin e katërt, që ekipi mik e fiton 25-20 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1. Bici ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes, me 22 pikët e saj, duke lënë prapa shoqen e saj dhe kapitenen e skuadrës, Bigancolin, me 6 pikë më pak. Loja e Erblira Bicit ka marrë vlerësime maksimale edhe nga trajneri i skuadrës së LPM Mondovisë, i cili e ka cilësuar si vendimtar kontributin e dhënë nga shqiptarja në arritjen e fitores, sidomos nëpërmjet shërbimeve të saj të fuqishme, që gjithmonë krijuan vështirësi në lojën mbrojtëse të kundërshtarit. Në takimin e radhës, atë të javës së dytë, Bici dhe skuadra e saj presin të shtunën në fushën e tyre skuadrën e Trentinos, që korri një fitore 3-2 në javën e parë.

Sicred