KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Vlora me parkun më të madh fotovoltaik

Vlora me parkun më të madh fotovoltaik

Vlora do të ketë parkun më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli. Ministria e energjisë ka çelur tenderin për ndërtimin e impiantit të parë fotovoltaik me kapacitet prodhues 50 megavat, në zonën e Akernisë, që njihet si një nga zonat me rrezatimin më të lartë diellor. Vlera e investimit arrin në 70 milionë euro. Ky është projekti i parë me këtë kapacitet në fushën e energjisë së rinovueshme në vendin tonë dhe synon të jetë një nga investimet më të mëdha në rajon në kapacitete të reja të prodhimit të energjisë. Të gjithë investitoret privat të interesuar për këtë projekt kanë kohë deri në 17 shtator për të dorëzuar ofertën e tyre pranë ministrisë së energjisë. Kohëzgjatja e marrëveshjes së projektit është 30 vjeçare dhe çmimi i blerjes së energjisë është i garantuar 100 euro për megavat për 15 vitet e para të investimit. Diversifikimi i burimeve të energjisë është në interes të qeverisë, e cila deri në 2020 duhet të arrijë 38% të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe ky projekt pritet të ndihmoje edhe në këtë drejtim. Aktualisht, në pjesën më të madhe prodhimi i energjisë elektrike realizohet nga hidrocentralet. Por mesa duket jugu i Shqipërisë do të konkurroje veriun e vendit në prodhimin e energjisë. Hovi 15 vjeçar i burimeve hidro në veri pritet të diversifikohet me energji nga dielli dhe era në jug.