KRYEFAQJA » LAJME » Vllaznia mes problemeve financiare dhe blerjeve në merkato
Vllaznia mes problemeve financiare dhe blerjeve në merkato

Vllaznia mes problemeve financiare dhe blerjeve në merkato

Çështja e financave vazhdon të jetë një problem në klubin Vllaznia. Ankesave të disa ditëve më parë të futbollistëve të skuadrës shkodrane për disa rroga të prapambetura të papaguara, iu shtohet edhe ajo e Orelesi, blerja e fundit e klubit shkodran.
Futbollisti nigerian është ankuar se nuk ka marrë ende paradhënien për kontratën e nënshkruar, e cila i ishte premtuar fillimisht nga klubi. I ndodhur në Shkodër prej tri ditsh, sulmuesi ende nuk është paguar dhe kërcënoi me prishjen e kontratës.
Burime brenda klubit të Vllaznisë konfirmojnë se kanë biseduar me lojtarin dhe e kanë sqaruar atë se ka qenë vetëm çështje e lëvrimit të fondeve nga ana e bankës. Sipas tyre shuma e përgjithshme e kontratës do t’i paguhet menjëherë sapo fondi i akorduar të vihet në dispozicion të klubit. Pas bisedimesh mes tyre, duket se futbollisti është bindur të qëndrojnë në Shkodër, në pritje të shumës së parave të premtuara sipas kontratës.
Mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet ky problem, të cilin e ka ngritur ditë më parë edhe trajneri Cungu në intervistën për RTSH Sport.
Por pavarësisht problemeve financiare, klubi shkodran ka nënshkruar një kontratë me futbollistin ganez Çarls Atsina. Sulmuesi ka qenë prej disa ditësh në provë te Vllaznia, e duket se me aftësitë e tij e ka bindur trajnerin Armando Cungu për të qëndruar në Shkodër. Pas Hasanit, Likës e Orelesit, Atsina është gjetja e katërt për Vllazninë në këtë merkato vere.

Sicred