KRYEFAQJA » LAJME » Vllaznia do të tentojë në Ligën e Kampioneve për U19

Vllaznia do të tentojë në Ligën e Kampioneve për U19

Pas ballafaqimit, Shqipëri-Itali për eliminatoret e botërorit “Rusi 2018”, Shkodra pret këtë mesjavë një tjetër ndeshje ndërkombëtare. Këtë radhë stadiumi “Loro Boriçi” do të provojë emocionet e Ligës së Kampioneve të Evropës për të rinjtë e kategorisë U-19. Në këtë sezon konkurron edhe Vllaznia e Shkodrës. Kjo është hera e parë në historinë e futbollit shqiptar që një skuadër shqiptare merr pjesë me këtë kategori moshe në Ligën e Kampioneve. Përballë Vllaznisë së trajnerit Luan Zmijani do të jetë Zimbru e Moldavisë. Takimi i parë i luajtur para dy javëshë në Moldavi është mbyllur me fitoren e vendasve 3 me 1. Në prag të kësaj ndeshje kanë folur dy drejtuesit kryesorë të Akademisë Vllaznia, Qashif Hoxha dhe Alban Hasani të cilët thonë se presin një mbështetje të publikut, çka është shumë e rëndësishme. Ata thonë se rezultati nuk është i pakthyeshëm dhe kalimi në turin e dytë do të ishte sukses shumë i madh, jo vetëm si ngjarje sportive, por edhe për financat e klubit.
Nga sa bëhet e ditur, krahas hyrjes së lirë për tifozërinë, drejtuesit e klubit kuqeblu si dhe Bashkia Shkodër kanë marrë të gjitha masat e duhura për krijimin e një mjedisi sa më festiv. Ndeshja do të luhet në “Loro Boriçi” të mërkurën e 18 tetorit duke filluar nga ora 18.00 dhe do të transmetohet nga rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar.

Sicred