KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Vlashent Sata: Me “Za Fest” ti japim za natyrës në Theth

Vlashent Sata: Me “Za Fest” ti japim za natyrës në Theth

….Natyra e ka çuar tek muzika dhe muzika e drejton nga natyra….kështu note pas note kantautori Vlashent Sata arrin tek ideja e Za Fest. Një Festival qe e çon muzikën në mes të Bjeshkëve, në Theth atje ku rrjedhin ujëvarat bashkë me misticizmin dhe legjendat. Çfarë do ndodhe në Theth? “Në Theth ndodh edicioni i parë i “Za festival” me 26 gusht, të shtunën që vjen edhe jam shumë i lumtur që kjo ëndërr e bukur që filloi si një koncert pastaj u transformu në festival tani po merr jetë. Dekori, skenografia natyrale e Thethit, energjia që ato male japin njerëzve që kalojnë poshtë tyne o naj herë ngjiten sipër është prralla që unë du me ba tonen”. Vlashenti me kitaren e tij shoqëruar nga zërat melodiozë të Elina Dunit dhe Shpat Dedes dhe nga timbri epik i zërit të aktorit Arben Bajraktaraj na ftojnë këtë të shtunë nën hijen e maleve në Theth për të kujtuar se kush jemi përmes muzikës dhe legjendave. “Po është edhe Arben Bajraktaraj që është ajo pjesa akoma dhe më magjike sepse do ketë tregimet, gojëdhanat, do ti japi jetë historive të atij veni dhe historive përgjithësisht misticizmit shqiptar që do qëndrojnë paralel me muzikën”. Pa poza dhe slogane, Vlashenti përmes muzikës në Za Fest dëshiron të na zgjoje të gjithëve lidhjen e humbur me natyrën dhe shenjtërinë me të cilët duhet të sillemi me të. “Patjetër du me i dhanë njëfarë vlere Thethit sepse njerëzit e atij veni kanë punu shumë fort, i kanë dhënë jetë të përditshmes tyne dhe presin e përcjellin me shumë dashamirësi dhe përkujdes të gjithë të hujt që vijnë në at ven. Festivali ka dhe si qëllim më pas ndërgjegjësimin për me mbrojt ambjentin, për me mbrojt natyrën, me e dasht ashtu siç na don ne ajo aq fort edhe me ba kujdes me mbetjet, me pyjet, lumin…”. Teksa karriera muzikore e Vlashent Sates edhe pas suksesit të albumit të tij të parë “Hana” e mban me një vesh dhe sy nga Parisi duket se Za Fest i ka përpirë të gjithë energjitë dhe pasionin pasi siç rrëfen ai nëpërmjet kësaj nisme kulturore dhe shpirtërore, synon të evidentohen edhe mungesat e një vendi, që ka nevojë për të marrë frymë, për të rrezatuar aq sa meriton. Dhe edicioni i parë i Za Fest në magjinë e Thethit duket se është vetëm fillimi.