KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “Virus social”, Papa Françesku dënon korrupsionin

“Virus social”, Papa Françesku dënon korrupsionin

Papa Françesku, dënoi fuqishëm korrupsionin, teksa foli përpara 200 mijë njerëzve të mbledhur për një meshë të hapur në pjesën veriperëndimore të Perusë, e cila është rrënuar nga përmbytje të shumta. Papa Françesku edhe me herët ka dënuar korrupsionin në Amerikën Latine duke e quajtur atë një “virus social” që po infekton të gjitha aspektet e jetës. Gjatë vizitës në Peru, Papa dënoi shkatërrimin e lumit Amazon. “Për të mbrojtur shpresën, kërkohet që të jemi shumë të vëmendshëm ndaj formës shpesh delikate të degradimit përreth, i cili ndot gradualisht të gjithë kornizën jetike, dhe ky është korrupsioni. Sa shumë e keqe i është bërë popullit latino-amerikan dhe demokracive të këtij kontinenti të bekuar nga ky virus i shoqërisë. Një fenomen që infekton gjithçka, që dëmton më së shumti të varfërit dhe tokën mëmë. Gjithçka që bëhet për të luftuar këtë goditje sociale meriton vëmendjen tonë më të madhe” , tha ai. Presidenti i Perusë dhe disa udhëheqës të lartë politikë janë të përfshirë në skandalin më të madh të mitmarrjes në rajon. Fjalimi i Papës vjen më pak se një muaj pasi Presidenti shmangi hapjen e procesit të shkarkimit lidhur me pagesat prej 782 mijë dollarësh që shkuan tek firma konsulente e presidentit nga kompania gjigande braziliane e ndërtimeve, Odebrech.

Sicred