KRYEFAQJA » LAJME » “Vettingu”, qershori sjell seanca të shumta

“Vettingu”, qershori sjell seanca të shumta

Java e parë e Qershorit paralajmëron furtunë kontrollesh nga komisionet e “Vettingut”. Duke nisur nga e hëna e 4 qershorit dhe në vijim, para gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pritet të dalin dy prokurorë, një anëtar i Gjykatës së Lartë dhe do të jepet vendimi për kualifikim ose shkarkim për një kandidate në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Të hënën dhe të martën do të vettohen Anila Leka prokurore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Dritan Prençi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të Tiranës. Të dy zotërinjtë janë kandidatë për KLP dhe nëse konfirmohen në detyrë fitojnë të drejtën të jenë potencialisht anëtarë të qeverisë së re të gjyqësorit. Gjithashtu të hënën Komisioni i parë i vettingut pritet të jape vendimin për gjyqtaren e Kurbinit Marçela Shehu, e cila kandidon për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Që kur nisen seancat publike të Vettingut, tre muaj më parë, tanime është rradha e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të kontrollohen. Të martën e 5 Qershorit para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të dalë Edmond Islamaj aktualisht gjyqtar në gjykatën më të lartë të vendit.
Seancat publike në kalendarin e organeve të vettingut janë shtuar, për shkak se kandidatët për organet e reja të gjyqësorit, sipas Reformës në Drejtësi duhet të kontrollohen të parët për pasuritë dhe pastërtinë e tyre.
Deri më sot janë kontrolluar 9 gjyqtarë dhe prokurorë, nga të cilët vetëm tre kanë mundur të konfirmohen në detyrë.

Sicred