KRYEFAQJA » LAJME » Vetingu në politikë, flasin Basha, Rama dhe Meta
Vetingu në politikë, flasin Basha, Rama dhe Meta
Foto arkivi

Vetingu në politikë, flasin Basha, Rama dhe Meta

Vetingu në politikën shqiptare i propozuar së fundi nga kreu Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vazhdon të jetë teme e polemikave mes krerëve të maxhorancës dhe opozitës.
Në një dalje me gazetarët zoti Basha tha se propozimi i opozitës për vettingun në politikë, është identik me atë të gjyqëtarëve dhe prokurorëve. “Në krye të qeverisjes së vendit ka ardhur gjenerata e dytë e kriminelëve. Skandalet dhe zollumet e qeverisë si bëjnë asnjë përshtypje qytetarëve. Është atentat ndaj demokracisë që sot në Kuvend kemi Ballën, Çyrbjen, në bashki Dakon e Sejdinin. Politikanët e lidhur me krimin sot bëjnë ligjet në Kuvend, marrin vendime në bashki dhe janë të paprekshëm. Ka vetëm një mënyrë për largimin, vettingu i tyre. PD është pro pastrimit të drejtësisë, politikës dhe ekonomisë nga krimi” tha zoti Basha.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha se është dakord me nismën e PD, madje është gati për tu ulur në tryezë me kryetarin e PD-së për këtë çështje. “Jam gati. Shyqyr që u katandis Luli ta bëjë këtë punë, por e gjithë çështja është se kjo të mos jetë e lidhur me Reformën në Drejtësi që të kthehet mbrapsht reforma në drejtësi. Ai vetingu tjetër do vazhdojë. Këtë vetingut që i ka lindur në zemër Lulit unë jam gati. E jam gati ta nisim nga unë personalisht. Se nuk besoj se do kërkohet një komision bipartizan ta bëjë këtë punë nuk ma ha mëndja” tha zoti Rama.
Më parë presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje politikës shqiptare që të bashkëpunojë për të garantuar çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE, ndërsa nuk komentoi inciativën e PD-së për vetingun e politikanëve. “Nuk kam asnjë koment për këto iniciativa, shpresoj në një bashkëpunim dhe lexim të përbashkët të atyre sfidave me të cilat duhet të përballohet politika shqiptare në mënyrë të bashkuar për të garantuar çeljen e negociatave” ju përgjigj zoti Meta interesimit të gazetarëve ndërsa po merrte pjesë në një aktivitet për dhurimin e gjakut në Repartin e Zjarrfikësve në Tiranë.

Sicred