KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Inva Mula&TOB rikthejnë në skenë “Peshkatarët e perlave”

Inva Mula&TOB rikthejnë në skenë “Peshkatarët e perlave”

Opera “Peshkatari i perlave” nga kompozitori francez Georges Bizet me regji nga Inva Mula çel sezonin artistik të teatrit të Operas dhe baletit. Një opera elegante ku ngërthehen gjithë elementet vokalë, skenografi, kostume, kori, orkestër dhe koreografi në një amalgamë që përpiqet të sjellë atmosferën idilike të ishujve ku peshkohen perlat. Gjithçka në konceptimin e artistes Inva Mula e cila i rikthehet kësaj vepre pas më shumë se 25 vitesh nga vënia e fundit në skenën shqiptare. “ Fatmirësisht nuk më ka rënë për ta kënduar “Peshkatarët e perlave” në gjithë karrierën time mbasi kam ikur nga shqipëria, pra kam ikur me “Peshkatarët e perlave”. Në vitin 1990 kam luajtur “Lejlanë” kur isha shumë e re dhe përveç aries që e kam kënduar disa herë nëpër koncertë nuk e kam kënduar “Peshkatarët e perlave” pra nuk është një vepër e cila ka kaluar nëpërmjet regjisorëve apo dirigjentëve të mëdhenj por vjen shumë e virgjër, shumë e pastër, pathuajse e paeksperimentuar në eksperiencën time” tha artistja Inva Mula. Me një ekip artistësh të talentuar ku spikasin në rolet kryesore baritoni i talentuar Armando Likaj, sopranot Ramona Tullumani, Simona karafili si dhe shumë artistë të tjerë Inva Mula përpiqet të frymëzoje një elegancë në çdo detaj. Me këtë bashkëpunim ajo ka përkrah edhe dirigjentin e njohur francez Gerard Akokan i cili shfrytëzoi konferencën e shtypit për të dhënë një mesazh. “Do tju kërkoja gjithë politikanëve shqiptarë cilado qoftë ndjeshmëria e tyre politike që të ndihmojnë artistët shqiptarë sepse jam sinqerisht i bindur se mënyra më e mirë për të ndryshuar dëmin që i është bërë imazhit të Shqipërisë jashtë është eksportimi i operas dhe i këtyre artistëve. Duhet ta them se Inva Mula, Saimir Pirgu, Jaho dhe të tjerë këngëtare të mëdhenj në skenat botërore janë ambasadorë fantastike të së ardhmes”. Opera Peshkatarët e perlave do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve mbrëmjen e 22 shtatorit për të vijuar më tej me 24 dhe 25 shtator duke sjellë tek publiku një nga kryeveprat e Bizesë shpesh të nënvleftësuar.

Sicred