KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Vendi i Shqiponjave në sytë e fotografes franceze

Vendi i Shqiponjave në sytë e fotografes franceze

Fotografia e saj është një vështrim intuitiv dhe emocional, gati gati Virginie Caqout do të donte të ndalte kohën në vendin e shqiponjave ku moderniteti po fshin me ritëm marramendës qoshe ku mbretëron shpirti dhe tradita shqiptare. Kështu na shfaqet me ekspozitën e saj në galerinë Kombëtare të arteve, fotografja franceze e cila në dy vite ka eksploruar si një zog shqiponjë me kameran e saj peisazhe dhe histori nga Shqipëria e Jugut në atë të Veriut duke shuar kështu edhe etjen e saj për peisazhin shqiptar që kur ishte e vogël. “Kam një histori të vogël me Shqipërinë që shkon në kohët e fëmijërisë time. Gjithmonë jam joshur nga suveniret që vinin nga Ballkani, reminishenca të kohëve kur udhëtoja me prindërit e mi, që kanë lënë gjurmë. Para dy vitesh kur mu dha mundësia nuk hezitova të vija në Shqipëri edhe për të plotësuar atë që kishte mbetur përgjysëm kur isha e vogël dhe nuk mu lejua të hyj në këtë vend në periudhën e komunizmit” tha fotografja Virginie Caquot. Virginie e cila prej dy vitesh jeton dhe punon në Shqipëri, ka braktisur profesionin e saj të parë si mësuese për tju dedikuar tërësisht fotografisë ku përmes saj zbulon, vende, peisazhe, arkitektura, tipologji të ndryshme popujsh dhe mënyrash të jetuari. “Çdo foto është e rrallë dhe bart një histori sepse është një çast i Shqipërisë aktuale. Doja që në këto fotografi të transmetoja një pjesë tradicionale të Shqipërisë duke e vendosur përballë modernitetit ku të dyja përzihen. Kjo është Shqipëria e sotme”. Në Shqipëri e sjell promotori i kulturës shqiptare dhe franceze Rezart Jasa duke ngritur kështu një urë tjetër bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Francës. Fotografitë e artistes franceze na udhëheqin në një fill të hollë mes të shkuarës dhe asaj që po vjen me një ngjyresë poetike dhe estetike të lartë duke vendosur përballë nesh vizionin e saj për Shqipërinë sot.

Sicred