KRYEFAQJA » LAJME » Vendet e Europës Juglindore diskutojnë strategjinë rajonale 2020

Vendet e Europës Juglindore diskutojnë strategjinë rajonale 2020

Prej 3 vitesh vendet e Europës Juglindore po implementojnë strategjinë rajonale 2020, për tu përafruar me BE. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal mblodhi bordin drejtues në Dubrovnik të Kroacisë, ku paraqiti edhe raportin vjetor sa i përket ecurisë së implementimit të strategjisë. Sipas raportit, Shqipëria kryeson 7 vendet e rajonit në tregtinë ndër-rajonale të mallrave, ndërsa mbetet pas sa i përket tërheqjes të investimeve të huaja direkte. Në një intervistë për RTSH, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Goran Svilanoviç tha se në këtë aspekt Shqipëria ka përmbushur vetëm 12 përqind të objektivit që qeveria i ka vendosur vetes.
“Përgjigja është tek qeveria. Unë do të prisja që zyratarët t’i hedhin një sy raportit vjetor, të shohin ku është Shqipëria dhe ku janë vendet e tjera. Dhe pastaj të bisedojnë me ata që po ecin më mirë. Për shembull, Mali i Zi po ecën mirë me tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe përvoja e tyre mund t’i shërbejë Shqipërisë.”- tha Svilanovic.
Në Europën Juglindore janë hapur 400 000 vende të reja pune gjatë 5 viteve të fundit, 300 mijë prej të cilave në Serbi. Svilanovic tha se mundësitë janë edhe në Shqipëri për të krijuar vende të reja pune. “Së pari duhet të ketë një vendim poltitik, që vendet e reja të punës të jenë në fokus të qeverisë. Se dyti, ju zhvilluat zgjedhjet dhe vendet e reja të punës janë një premtim që tani duhet të shihet në këndvështrimin praktik, që do të thotë se qeveria duhet të shohë përreth dhe të pyesë se cilët investitorë mund të sjellë ne vend sepse investimet e huaja direkte lidhen drejtpërdrejtë me vendet e reja të punës.”
Një ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve të Europës Juglindore mbetet korrupsioni. Sipas raportit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal 73 përqind e tyre mendojnë se qeveritë nuk po e luftojnë në mënyrë efiçente korrupsionin. Mosbesim ka edhe ndaj sistemit të drejtësisë. 78 përqind e qytetarëve të Europës Juglindore besojnë se sistemi gjyqësor është i varur nga poltika dhe 83 përqind thonë se ligji nuk vepron për të gjithë njësoj.

Sicred