KRYEFAQJA » LAJME » Vdekja e emigrantit shqiptar në Francë, reagon MEPJ
Vdekja e emigrantit shqiptar në Francë, reagon MEPJ

Vdekja e emigrantit shqiptar në Francë, reagon MEPJ

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi të dielën për vdekjen e shtetasit shqiptar, Florenc Beqiri në Marsejë (Francë), duke bërë të ditur se hetimi po vazhdon dhe se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë vendit, përbën prioritet absolut. “Autoritetet franceze kane njoftuar ambasadën e Shqipërisë në Paris, përmes një komunikimi zyrtar, mbi vdekjen e shtetasit shqiptar Florenc Beqiraj në qendrën spitalore Marseille-Nord”, bëri të ditur të dielën zyra e shtypit e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Përmes një njoftimi për shtyp, MEPJ thekson se “Ministria e Brendshme e Francës ka njoftuar Ambasadën e Shqipërisë në Paris, përmes një komunikimi zyrtar, mbi vdekjen e shtetasit shqiptar Florenc Beqiraj në qendrën spitalore Marseille-Nord”. Në këtë komunikim, sipas MEPJ-së, sqarohet se, më 14 dhjetor 2017, rreth orës 17.30, shtetasi Florenc Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij, në Qendrën e Ndalimit Administrativ në Marsejë, pasi ishte shoqëruar më parë atje pas vendimit administrativ të Prefekturës për largim nga territori francez.
“Beqirajt iu dha menjëherë përkujdesja e urgjencës dhe ai u transportua në qendrën spitalore të Marseille-Nord. Prokuroria e Marsejës u njoftua të njëjtën ditë për ngjarjen dhe një hetim mbi ngjarjen ka nisur menjëherë. Pas disa ditësh në koma të thellë, në datën 21 dhjetor, ora 18.30, u konstatua vdekja e shtetasit Florenc Beqiraj. Trupi i tij u transportua në pavionin e mjekësisë ligjore të Marsejës më 23 dhjetor, sipas udhëzimeve të Prokurorisë, e cila kërkoi të kryhej autopsia. Autopsia do të kryhet në ditët e ardhshme, ndërkohë që hetimi vazhdon”, sqarohet në njoftimin e MEPJ-së.
“Ministria e Brendshme Franceze nënvizon se do të vazhdojë të informojë Ambasadën e Republikës së Shqipërisë për të gjitha informacionet e nevojshme që do të përcillen nga Prokuroria e Marsejës mbi vazhdimin e hetimit që po kryhet. Ndërkohë, ambasada po kujdeset për kryerjen e të gjitha procedurave për kthimin e trupit të të ndjerit në Shqipëri”, vijon sqarimi i MEPJ-së. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Florencit dhe siguron opinionin publik se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqipërisë përbën prioritet absolut.
Në të njëjtën kohë, MEPJ i bën thirrje aktorëve politikë të dëshmojnë urtësi e të mos bien në kurthin e instrumentalizimit politik të kësaj fatkeqësie.(Sipas ATSH)

Sicred