KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Uragani “Maria” i drejtohet Porto Rikos

Uragani “Maria” i drejtohet Porto Rikos

“Maria”, uragani i dytë i fuqisë maksimale që krijohet këtë sezon në Atlantik, është përplasur mbi ishujt Virxhin e po i drejtohet Porto Rikos. Stuhia e kategorisë së pestë është lëshuar me të gjithë furinë e saj në ishujt Seint Kroiks, një ditë pasi la pas një vazhdë shkatërrimesh në ishullin Dominik. Uragani i dhunshëm po lëviz pothuajse në të njëjtën rrugë me Irmën, edhe ajo e kategorisë së pestë dhe me një formë shkatërrimtare. Guvernatori i Porto Rikos i ka kërkuar 3.5 milionë banorëve të territorit amerikan të gjejnë strehim tani që stuhia po afrohet. Zyrtarët atje druhen se mbetjet e lëna më herët nga Irma mund të kthehen në një element tejet të rrezikshëm nga erërat e forta të “Marias”. Ka gjithashtu shqetësime se reshjet e dendura të shiut mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu, ndërsa në zonat e ulëta stuhia parashikohet të ngrejë dallgë deri në 3 metra të larta. Porto Riko ka qenë një parajsë e mbrojtur për njerëzit që i janë larguar këto javët e fundit ishujve të tjerë të shkatërruar të Karaibeve, por tani, edhe ai vetë është në rrugën e një tjetër stuhie shkatërrimtare. Presidenti Donald Trump ka shpallur gjendjen e emergjencës për Porto Rikon dhe Ishujt e Virgjër, si dhe ka autorizuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjensinë Federale të Emergjencave për të koordinuar të gjitha përpjekjet e shpëtimit.

Sicred