KRYEFAQJA » LAJME » Universiteti i Tiranës, 25 mijë lekë për provimet e mbartura

Universiteti i Tiranës, 25 mijë lekë për provimet e mbartura

Nëse e ke mbaruar fakultetin, por ke ende disa provime të mbartuara për të shlyer të duhet të paguash përsëri tarifën shkollore. Kjo është një praktikë që aplikohet në disa prej institucioneve të arsimit të lartë në vend.

Ergysi, student i Fakultetit të Inxhinierise Mekanike vitin që shkoi mbylli ciklin 3 vjeçar të studimeve, por i duhet përsëri të paguaje edhe këtë vit për shkak të 4 provimeve të mbartura. Ai sqaron se edhe pse nuk ndjek asnjë leksion e nuk merr pjesë në asnjë seminar detyrohet të paguaje tarifën si të tjerët në të kundërt humb mundësinë për të dhënë provimet, dhe njëkohësisht të drejtën për tu diplomuar.

“Tani që vjen sezoni i shkurtit na duhet të paguajmë edhe tarifat e shkollës dhe na lajmëruan pasi nuk e dija. Ne që kemi mbaruar, por që kemi disa provime të mbartura quhemi si grup përsëritës. Teorikisht i bie që ne të ndjekim mësimin dhe leksionet e seminaret dhe ishte e detyruar ta paguaja. Në fakt unë nuk e ndjek mësimin pasi e kam ndjekur vjet, thjesht duhet të paraqitemi në datat e provimeve që shpresoj ti mbyll këtë vit pasi më duhet të paguaj përsëri nëqoftëse ngel” u shpreh Ergysi student i Universitetit të Tiranës.

Madje për këtë vit ndryshe nga 3 vitet e tjera Ergysit i është dashur të paguaje një tarifë më të kripur. “Vjet kemi paguar diku te 17000 lekë të reja, ndërsa sivjet ishte bërë 25000 lekë të reja” tha ai.

Në fakt praktikën e pagesës së tarifës shkollore kur ke vetëm provime të mbartura, nuk e aplikojnë të gjitha fakultetet. Është Bordi i Administrimit të Universitetit ai që vendos nëse kjo tarifë për fakultetet të caktuara duhet paguar apo jo. Të pyetur për arsyejet e vendosjes së kësaj tarife për Fakultetin e Inxhnierisë Mekanike ndërkohë që disa fakultete të tjera nuk e kanë stafi i këtij Institucioni të Arsimit të Lartë ka refuzuar të japë një përgjigje.