KRYEFAQJA » LAJME » Ulja e TVSH në turizëm, FMN : Zbatoni ligjin, pastaj ulni taksat!
Shqipëria dhe Estonia synojnë të rritin bashkëpunimin ekonomik

Ulja e TVSH në turizëm, FMN : Zbatoni ligjin, pastaj ulni taksat!

Deklarimi i përfaqësuesit të zyrës së FMN në Tiranë se “Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve në sektorin e turizmit nuk paguajne TVSH” dhe rekomandimi i tij se “do të kishte qënë më mirë që të ishte filluar nga përmirësimi i zbatimit të ligjit të turizmit, sepse do kishte pasur më shumë përfitime nga pikëpamja e të ardhurave” sjell në vëmendje një tjetër mosdakortësi mes autoritetit të lartë të Uashingtonit dhe qeverisë shqiptare, pasi kjo e fundit sapo ka vendosur reduktimin e taksës së tatimit mbi vlerën e shtuar në 6 përqind nga 20 përqind.
Edhe më parë Radio Televizioni Shqiptar ka theksuar se në sektorin e turizmit në Shqipëri, informaliteti është i lartë, i pallogaritur ndonjëherë dhe vlerësohet si shkaku kryesor i mungesës së konkurrueshmërisë në këtë sektor. Në një relacion dorëzuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvendit, evidentohet fakti se 90 përqind e shtretërve në njësitë akomoduese nuk paguajnë taksa.
Ndërkohë, sipas të dhënave nga INSTAT, numri i strukturave akomoduese për vitin 2015 ka qenë 1.116, ose 27 përqind më i rritur se në 2014. Kjo vërteton faktin që rritja e numrit të vizitorëve përgjatë viteve të fundit ka ndikuar rrjedhimisht dhe në rritjen e kërkesave për akomodim.
Nga të dhëna paraprake, bazuar në anketimet e INSTAT dhe përllogaritjet e MZHETTS, numri i strukturave akomoduese për vitin 2016 vlerësohet në 1.273, duke u rritur me 14 përqind më shumë se viti 2015.
Duke pasur një tjetër referencë, pra duke iu referuar Booking.com, numri i strukturave akomoduese të regjistruara në këtë websajt në Shqipëri për vitin 2016 është 1.356, ose 83 njësi më shumë se sa llogaritjet e ministrisë përgjegjëse të turizmit. Ndër to 1.192 janë Hotele dhe 164 struktura akomoduese të tjera.
Mjaft i lartë rezulton numri i shtretërve dhe i netëqëndrimeve në hotele. Për vitin 2015 ka qenë respektivisht rreth 42 mijë shtretër dhe 791.000 netë. Për vitin 2016, sipas parashikimeve, ende jo zyrtare nga INSTAT dhe MZHETTS numri i shtretërve është rreth 67.000, ose 25 mijë më shumë, kurse numri i netëqëndrimeve ka patur një rritje të konsiderueshme me 72 përqind përgjatë vitit 2015 krahasuar me 2014. Nga të dhënat paraprake numri i netëqendrimeve për vitin 2016 llogaritet me përafërsi rreth 47 përqind më shumë se në vitin 2015.
Në një llogaritje të thjeshtë, kur nga autoritetet deklarohen afërsisht 20 milionë netë fjetjeje në vit në Shqipëri, nga të cilat 10 milionë gjenerohen nga hotelet, duhet që, vetëm nga tatimi mbi vlerën e shtuar 20 përqind, për shtrat/natë, do të akumuloheshin, vetëm nga hotelet, 30 milionë Euro. Ministria e Financave thotë se viti 2016 kapi rekord në numrin e vizitorëve me rreth 4.5 milionë dhe të ardhurat nga turizmi arritën shifrën rekord prej 1.5 miliardë euro. Por nuk e shpjegon këtë shifër.
RTSH i kërkoi zyrës së shtypit dhe më pas vetë ministrit Ahmetaj të komentonte këto shifra dhe komentin e bërë nga përfaqësuesi i FMN në Tiranë, por ministri nuk iu përgjigj kërkesës.

Sicred