KRYEFAQJA » LAJME » Ulen temperturat, ngricat vështirësojnë punën për lidhjet me zonat e thella

Ulen temperturat, ngricat vështirësojnë punën për lidhjet me zonat e thella

Asnjë shenjë përmirësimi nuk ka as të shtunën, në zonat e goditura nga moti i keq. Në Dibër veç rrugës Skuraj-Peshkopi, ku mund të qarkullohet pa zinxhirë, në të gjitha akset e tjera kombëtare, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, ndërsa mbeten të izoluzar zonat e thella.

Gjatë natës së shkuar temperaturat në Kukës kanë shënuar minus 9 gradë C, gjë që ka sjellë vështirësi për lëvizjen e mjeteve në disa nga rrugët kryesore. Të bllokuara mbeten rrugët e Arrnit, Grykë Çajës, disa fshatra të Zapodit dhe Malziut. Mjetet borëpastruese të bashkisë së Kukësit po punojnë në fshatrat e njësisë Shishtavec, për lidhjen me Dragashin e Kosovës. Qyteti dhe fshatrat janë furnizuar me energji elektrike pa ndërprerje. Ndërsa temperaturat e ulëta kanë shkaktuar ngrirjen e tubave të ujit të pijshëm në lagje dhe fshatra.

Në qarkun e Korçës, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme pa zinxhirë, por e vështirë situata mbetet në zonat rurale. I bllokuar është Panariti me rreth 2 metra bore, por dhe 4 Njësi Administrative të Pogradecit, zona e Devollit të Sipërm si dhe fshatrat e thellë të Bashkive Kolonjë e Pustec.

Edhe në Shkodër ka probleme për shkak të ngricave e vazhdojnë të jenë të bllokuar, pa energji elektrike dhe pa shërbim shëndetësor, Njësia Administrative të Shoshit. Edhe Nj.Ad e Shalës ende nuk lidhet me qytetin e Shkodrës, ndërsa kujdes duhet treguar edhe në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë. Në Përmet rrugët rurale që lidhin Nj. Ad. Frashër me fshatrat qëndrojnë të bllokuara, ndërsa janë pa energji dhe fshatrat Topovë, Frashër dhe Zavalan të po kësaj njësie. Edhe gjatë të dielës do ketë ulje të temperaturave në mëngjes, të cilat do shkojnë deri në -12 gradë C në zonat malore, -4 në zonat e ulëta dhe -1 në bregdet.

Sicred