KRYEFAQJA » LAJME » Uji i pijshëm, ende problem në Tiranë

Uji i pijshëm, ende problem në Tiranë

Ndonëse banorët e Tiranës furnizohen në shtëpi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit, ka prej atyre që shkojnë deri në Dajt për të mbushur ujë të pijshëm. Nga ana tjetër drejtoresha teknike në UKT, Xhea Germajsi, thotë se nga matjet në 16 pika të ndryshme fundore rezulton se cilësia e ujit është brenda normave të lejuara. Por nuk mund të përjashtohen as rastet kur amortizimi i rrjetit ndikon edhe në cilësi. “Amortizimi i rrjetit dhe lidhjet e paligjshme ulin cilësinë e ujit prandaj dhe ne jemi fokusuar në një studim të hollësishëm për cilësinë e ujit dhe po merremi vazhdimisht për të investuar në këto zona ku ne mendojmë që është e nevojshme që cilësia të rritet” tha drejtoresha teknike në UKT, Xhea Germajsi.

Në mungesë të furnizimint me ujë 24 orë, banorët e Tiranës e kanë gjetur zgjidhjen përmes vendosjes së depozitave. Në pallatet e reja ato janë kolektive, ndërsa në ato ekzistuese janë individuale. Por banorët pohojnë se rrallë kujdesen për higjenen e tyre.     “Në pallatin tim kam 6 muaj që sështë pastruar” thotë një banore ndërsa një tjetër shprehet se nuk e kemi pastruar ndonjëherë.

Tirana ka mjaftueshëm burime ujore, por ende jo furnizim 24 orë me ujë. “Rrjeti kryesor i ujësjellësit të Tiranës është i projektuar për një numër më të vogël banorësh. Duke pasur parasysh situatën faktike, objektivi jonë kryesisht mbetet që kto burime ujore të shfrytezohen në mënyrë sa më të mirë të mundshme. Nëpërmjet këtyre investimeve që ne kërkojmë të kryejmë rrisim në mënyrë të ndjeshmë orarin e furnizimit me ujë si dhe cilësinë e në rubinetat e qytetarëve” shto më tej drejtoresha teknike në UKT, Xhea Germajsi. Në 4 zona po pilotohet projekti për furnizimin me ujë 24 orë. Kodra e Diellit, Kodra e Priftit, rruga Idriz Dollaku dhe Yzberishti pas investimeve në rrjet kanë ujë të pijshëm gjatë gjithë ditës. Por do të duhet kohë dhe investime, që e gjithë Tirana, e zgjeruar edhe me komunat përreth të prek të njëjtin realitet.