KRYEFAQJA » LAJME » UEFA Europa Ligë, Skënderbeu fiton 2-0 ndaj Kairat Almaty dhe kualifikohet në turin e trete eleminator

UEFA Europa Ligë, Skënderbeu fiton 2-0 ndaj Kairat Almaty dhe kualifikohet në turin e trete eleminator

Skënderbeu ka arritur një kualifikim historik për në turin e trete eleminator të UEFA Europa Lige, duke mbajtur lart flamurin shqiptar në futbollin europian. Mbështetur nga një tifozeri e zjarrtë dhe me një banderolë ku shkruhej “Europë”, Skënderbeu fitoi 2-0 ndaj Kairat Almaty. Takimi u dominua tërësisht nga korçarët që treguan edhe një herë tjetër supremacinë ndaj skuadres kazake.
Trajneri Daja hodhi në fushë të njëjtin formacion si në ndeshjen e parë me James në sulm i ndihmuar nga Taku,Latifi dhe Nimaga. Sfida nis menjëherë e vrullshme. “Ujqërit e dëborës” shfaqen të rrezikshëm që në minutën e 2-të me Nimagan që godet brenda zonës, por topi kontrollohet nga portieri Pokatilov.
Dy minuta më vonë është Xhejms që me një diagonale tenton të surprizojë portierin mik, por Pokatilov grushton duke çuar topin në këndore.
Rasti i parë dhe i vetëm për miqtë në pjesën e parë shënohet në minutën e 20-të me Islamkan që godet nga jashtë zone, por nuk arrin të shënjestrojë portën e Shehit. Minutat e mbetura të pjesës së parë dhurojnë një lojë të mërzitshme deri në vërshëllimën e gjyqtarit danez Mae.
Pjesa e dytë nis me një zëvëndësim për korçarët. Trajneri Daja hedh në fushë Plakun në vend të James.
Si në pjesën e parë korçarët janë me kërkues. Dhe goli nuk vonon. Në minutën e 50-të është Sabien Lilaj që pasi i vjedh topin mbrojtesit Bato, futet në zonë dhe mes katër mbrojtësave arrin të mposhtë portierin Pokatilov. 1-0 për Skënderbeun dhe tashmë Daja dhe skuadra e tij fiton qetësinë.
Por minuta e 75-të shton frikën tek Skenderbeu. Lilaj ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Iliçeviç dhe kryesori Mae e ndëshkon me kartonin e dytë të verdhë dhe Skënderbeu mbetet me 10 lojtarë. Por me gjithë inferioritetin numerik korçarët arrijnë të gjejnë golin e dytë. Latifi jep një top të gjatë për Plakun, i cili i shpëton mbulimit të mbrojtjes, arrin të kontrollojë mjaftë mirë topin me gjoks dhe me një parabël mposht portierin Pokatilov. 2-0 dhe tashmë kualifikimi është në kasafortë. Më vërshëllimën përfundimtare të Mae, Skënderbeu kalon më tej duke treguar dhe një herë se në Europë tashmë ka mentalitetin e duhur. Misioni i rradhës është skuadra çeke e Mlada Boleslav.

Sicred