KRYEFAQJA » LAJME » Tusk pret Ramën: Në Bruksel keni vetëm miq!
Tusk pret Ramën: Në Bruksel keni vetëm miq!

Tusk pret Ramën: Në Bruksel keni vetëm miq!

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka marrë një mbështetje inkurajuese të hënën në Bruksel gjatë takimit me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk. Gjatë deklarimeve për shtypin pas takimit zoti Tusk ka vlerësuar  ecurinë e reformave kurajoze në Shqipëri si një shembull pozitiv për krejt rajonin. Ai i është drejtuar kryeministrit shqiptar me mesazhe mjaftë miqësore. “Ju faleminderit shumë për vizitën tuaj dhe pikësëpari, ju faleminderit për mirëkuptimin, i dashur Kryeministër, i dashur Edi. Jam vërtet i lumtur t’ju shoh këtu, pasi siç e dini jemi në të njëjtën anë” tha zoti Tusk pas takimit. “Për mua është vërtet e rëndësishme që të jem sa më i hapur, i sinqertë dhe pozitiv të jetë e mundur me ju dhe me të gjithë miqtë e mi shqiptarë. Kjo nënkupton gjithashtu se bashkëpunimi ynë, bisedimet tona sot dhe në të ardhmen ishin mbi bashkëpunimin e ardhshëm dhe të ardhmen evropiane” tha ai. Presidenti i KE Tusk garantoi kryeministrin Rama se “…keni vetëm miq këtu në Bruksel. Të jeni i bindur që këtu në Këshillin Evropian mund të jeni të sigurt për mbështetjen dhe përpjekjet tona”. “Dua të rikonfirmoj se ne e vlerësojmë vërtet procesin tuaj të thellë dhe mjaft të guximshëm të reformave” theksoi zoti Tusk, duke shtuar më tej se “Ju jeni një nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicieje evropiane dhe të kësaj ëndrre evropiane”.

Nga ana e tij kryeministri Rama ka shprehur i ka shprehur zotit Tusk mirënjohjen “që është një nga mbështetësit më të mëdhenj për përafrimin e mëtejshëm të Ballkanit dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Gjatë qëndrimit në Bruksel zoti Rama  do të marrë pjesë të martën në Samitin “Western Balkans at a Crossroads”, organizuar nga “Friends of Europe”. Në sesionin “Peace, Democracy and Reconciliation” kryeministri Rama është i ftuar të mbajë një fjalë. Më tej kreu i qeverisë shqiptare pritet të zhvillojë një takim me Federica Mogherini, Përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Sicred