KRYEFAQJA » LAJME » Shishtaveci turistik, mungojnë investimet strategjike

Shishtaveci turistik, mungojnë investimet strategjike

Për të mbërritur në Shishtavec duhet përshkuar Kanioni i Vanave, unikal në vend për nga bukuritë që i ka falë natyra. Përgjatë rrjedhës së lumit “Luma” gurgullojnë ujëra e ujëvara, që në fakt edhe pak ditë heshtin. Me pakësimin e reshjeve, uji që mbetet futet në tunelet e nëndheshme dhe të betonta në HC- që ia kanë prishur virgjërinë natyrës. Nga Shishtaveci deri tek restorant “Skiatori” është një udhë e mundimshme, ndërkohë që më pas pushtimi i majës së malit bëhet dhe me mjete motorrike të dëborës. Në Shishtavec skiatorë janë gjithë banorët e fshatit pa dallim moshe dhe gjinie, por si vendasit edhe miqtë e tyre nga Tirana e Korca kërkojnë më shumë vëmëndje që skitë dhe sportet dimërorë të mos mbeten thjesht një pasion i tyre, por këto resurse të sjellin të ardhura dhe të përfitohet nga sektori i turizmit. Rruga për në Shishtavec është e asfaltuar, por ende infrastruktura akomoduese ka mangësi. Iniciativat private të vetë banorëve të zonës , për të investuar dhe sjellë përvojat e vendeve europiane shihet si një ndër mundësitë e zhvillimit të turizmit dhe sporteve dimërore. Gani Pashaj, me punën, pasionin dhe përvojën e fituar dhe në vende të tjera, po sfidon mentalitetin dhe pengesat në këtë sektor. Në funksion të këtij zhvillimi është dhe tradita e pasur e kuzhinës vendase, prodhimeve agro- blegtorale bio, por mbi të gjitha bujaria e këtyre njerëzve, që trashëgojnë ndër shekuj dhe pasuri të mëdha foklorike dhe etnografike.

Sicred