KRYEFAQJA » LAJME » Trupi i Beqirit mbërrin në Shqipëri
Trupi i Beqirit mbërrin në Shqipëri

Trupi i Beqirit mbërrin në Shqipëri

Arkivoli me trupin e pa jete të 23-vjeçarit shkodran Florenc Beqiri, ka mbërritur të enjten në mesditë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga Franca. Ai u prit mes lotësh dhe dhimbjeje nga familjarë, të afërm dhe miq. Një nga të afërmit tha se trupi i të riut do të niset menjëherë drejt Shkodrës, pranë familjes, ku do të kryehen edhe ritet e përcjelljes për banesën e fundit.
Djaloshi nga Shkodra ka humbur jetën në një situatë ende të paqartë në Francë ku kishte shkuar për një jetë më të mirë, por pa dokumenta. Më 14 dhjetor 2017, rreth orës 17.30, shtetasi Florenc Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij, në Qendrën e Ndalimit Administrativ në Marsejë, pasi ishte shoqëruar më parë atje pas vendimit administrativ të Prefekturës për largim nga territori francez.  Ka dyshime për mënyrën se si Beqiri ka rënë në koma e më pas është çuar në spital. Atje atij i janë hequr aparaturat që mbanin në jetë dhe djaloshi është ndarë nga jeta.
Ka patur protesta në Shkodër dhe Tiranë nga shoqëria civile për këtë ngjarje që është konsideruar si krim racist. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar se po presin përfundimin e hetimit të autoriteteve franceze.

Sicred