KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trump pret tre amerikanët e liruar nga Koreja e Veriut

Trump pret tre amerikanët e liruar nga Koreja e Veriut

Presidenti amerikan Donald Trump dhe zv/presidenti Majk Pence, mirepriten tre amerikanët e liruar nga burgjet e Koresë e Veriut, të cilët arritën në bazën ajrore Andrjus prane Washingtonit. Presidenti Trump tha se kthimi i amerikanëve të burgosur “paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm për vendin, njerëzit nuk kanë menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhë”. Ai e falënderoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për lirimin e tre amerikanëve duke theksuar se beson që Kim dëshiron një marrëveshje për çarmatimin bërthamor të gadishullit korean. Avioni me të cilin po udhëtonin Tony Kim, Kim Hak Song dhe Kim Dong Chul, zbriti pak para orës 3 sipas kohës lokale dhe u ndal para një flamuri gjigant amerikan që mbahej mbi shkallët e dy kamionëve të zjarrfikësve. Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melania, hipën në avion për të takuar grupin. Ata u larguan nga Koreja e Veriut në avion me sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, për t’u transferuar më pas në një avion tjetër gjatë një ndalese ne Japoni. Dy prej tre koreano-amerikanëve Tony Kim dhe Kim Hak Song po jepnin mësim në universitetin për Shkencën dhe Teknologjinë në Phenian kur u arrestuan. Ata u ndanë veçmas në vitin 2017 dhe u akuzuan për pjesëmarrje në aktivitetet anti-shtetërore si dhe përpjekje për përmbysje të qeverisë. I burgosuri i tretë, Kim Dong Chul, u arrestua në një zone në verilindje të Koresë së Veriut në tetor të vitit 2015. Ai u dënua me 10 vjet punë të rëndë në burg në vitin 2016 i akuzuar për spiunazh. Të tre ata shprehën “mirënjohjen e thellë për qeverinë amerikane, presidentin Trump, sekretarin Pompeo dhe popullin e Shteteve të Bashkuara” për kthimin e tyre. Derisa ishte në Korenë e Veriut, sekretari Pompeo u takua me udhëheqësin Kim Jong Un për 90 minuta, takimi i dytë i tyre në më pak se një muaj, ndersa presidenti Trump dhe Kim po përgatiten për takimin ndërmjet tyre.

Sicred